Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet bazë për përpunimin e kanabisit në pyjet e Komanit, arrestohen katër persona


Mbi 56.7 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa janë sekuestruar në një zonë të pyllëzuar në fshatin Koman të Shkodrës, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Policia dyshon se zona përdorej për fshehjen dhe përgatitjen e drogës për shitje.

Operacioni i koduar “Gjurmët” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, pas disa javësh hetimesh të kryera me metoda proaktive.

Në pranga kanë rënë P. F., 45 vjeç, banues në Gomsiqe të Vaut të Dejës; M. P., 39 vjeç, banues në Dush të Vaut të Dejës; K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, në gjendje të lirë është proceduar A. F., 38 vjeç, banues në Gomsiqe, vëllai i 45-vjeçarit të arrestuar.

Sipas hetimeve paraprake, pesë personat dyshohet se bashkëpunonin për transportimin e lëndës narkotike me automjete dhe varka drejt një zone të pyllëzuar në Koman. Aty, sipas policisë, droga fshihej dhe përgatitej për t’u shitur.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët kontrolluan një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të 45-vjeçarit P. F., si dhe automjetet që përdoreshin nga dy prej të arrestuarve. Në këto ambiente u gjetën 10 thasë me mbi 56.7 kilogramë kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia njofton se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.