Nuk ndalet Behgjet Pacolli, shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës
Behgjet Pacolli është hedhur në kundërsulm për të marrë kontrollin e plotë të Aeroportit të Vlorës duke shkarkuar administratorin e vendosur nga Valon Ademi.
Dokumentat zyrtare tregojnë se në 17 tetor Mabco ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë konccesionare VIA me një pikë të vetme në rendin e ditës; shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha dhe zëvendësimin e tij me Eglantina Seferajn.

Mbledhja e asamblesë së ortakëve është zhvilluar në mungesë të plotë të përfaqësuesve të “2A Group”. Pasi ka konstatuar kuorumin, presidenti Emin Pacolli ka zyrtarizuar shkarkimin e Hoxhës dhe emërimin e Seferajt duke autorizuar juristët për të regjistruar urgjentisht vendimin në QKB.
Fillimisht QKB nuk e ka regjistruar ndryshimin e administratorit për mangësi në dokumentacionin e aplikimit të paraqitur nga Mabco. Por këtë të premte vendimi është pasqyruar në ekstraktin e shoqërisë VIA në QKB dhe nga sot administratori i VIA-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton Eglantina Seferaj.
Vegim Hoxha ishte emëruar si administrator i shoqërisë nga Valon Ademi, në dhjetor të vitit të kaluar, menjëherë pasi gjykata kishte pezulluar votën e kompanisë ‘Mabco Constructions’ të Pacollit në shoqërinë koncesionare për shkak të skandalit Delphos.
Lojë shahu
Vendimi për shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha nga Emin Pacolli u mor më datë 17 Tetor 2026, vetëm dy ditë pasi Vegim Hoxha kishtë bërë aplikimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të regjistruar shitjen e 47 për qind të aksioneve nga Mabco tek 2A group.
Ky aplikimin fillimisht u regjistrua nga QKB, 19 tetor. Por vetëm një javë më vonë, QKB e anulloi regjistrimin e shitjes me justifikimin se nuk ishte depozituar dhënia e pëlqimit nga BKT, duke i kthyer kuotat në gjendjen e mëparshme 98 për qind për Mabcon dhe 2 për qind për 2A Group.
Pas këtij vendimi të QKB, pronari i 2A Group Valon Ademi, deklaroi se pronësia e kuotave nuk caktohet me tituj lajmesh, por buron nga kontrata. Ai gjithashtu akuzoi se pas Behgjet Pacollit në aeroportin e Vlorës, qëndron dhëndri i ish presidentit të Kazakistanit Nursulltan Nazarbajev.
Lufta juridike dhe korporative për aksionet e Aeroportit të Vlorës duket se do të vazhdojë gjatë në gjykata edhe pasi qeveria e ka zgjidhur konccesionin me VIA-n duke pritur tashmë vendimin e arbitrazhit për të shtetëzuar Aeroportin./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



