Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin mund të përfundojë së shpejti, duke shprehur bindjen se konflikti do të marrë fund, megjithëse nuk dha detaje konkrete për mënyrën se si do të arrihet një marrëveshje.
Në një intervistë për radion KCMO të Kansas City-t, Trump u shpreh se Uashingtoni kërkon garanci që Teherani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore. “Do të mbarojë së shpejti. Ne kemi nevojë për një garanci se nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan. Deklarata e tij vjen në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit për Kongresin amerikan, të planifikuara për 3 nëntor. Trump ka deklaruar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do ta sulmojnë Iranin përpara zgjedhjeve.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vijojnë. Ndërmjetësuesit nga Katari janë kthyer në Teheran të hënën, në kuadër të negociatave për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Lajmi është konfirmuar për Reuters nga një zyrtar i informuar mbi bisedimet. Negociatat po zhvillohen në koordinim me Uashingtonin. Sipas një zyrtari të përfshirë në proces, Katari i ka dorëzuar Iranit të shtunën një projektmarrëveshje për paqen.
Megjithatë, një zyrtar i lartë iranian i ka cilësuar propozimet të papranueshme, duke theksuar se Teherani nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për programin bërthamor. Për Uashingtonin, çështja e programit bërthamor duhet të jetë pjesë e negociatave që në fazën fillestare. Nga ana tjetër, Irani kërkon që SHBA-të fillimisht të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane dhe sanksionet që kufizojnë eksportet e naftës së vendit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të mërkurën se Teherani po mban kontakte të ngushta me ndërmjetësit, për të shqyrtuar propozimet që mund të garantojnë zbatimin e planit të tij për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Trump iu referua të enjten edhe qasjes së zëvendëspresidentit J.D. Vance ndaj Iranit, duke e lidhur atë me furnizimet mjekësore. Deklarata erdhi pas raportimeve në mediat amerikane se Vance ishte përfshirë në përpjekjet për të ringjallur negociatat e paqes.
