
Gara për drejtimin e Partisë Demokratike në Korçë do të zhvillohet mes dy kandidatëve. Irvin Bode ka vendosur të tërhiqet nga kandidimi, duke lënë në garë Harito Zoton dhe Mikel Dishnicën, emrat e miratuar nga Kryesia e PD-së.
Votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës është parashikuar të mbahet më 7 nëntor, në ambientet e selisë së PD-së në Korçë. Ky proces vjen pas një periudhe të shoqëruar me debate dhe përplasje brenda strukturave lokale të demokratëve. Gara e mëparshme, ku kandidatë ishin Irvin Bode dhe Harito Zoto, nuk arriti të përfundonte për shkak të mosmarrëveshjeve mbi listat e anëtarësisë.
Më 3 maj 2026, procesi i votimit u ndërpre vetëm pak minuta pas nisjes. Shkak u bënë kundërshtitë e disa anëtarëve, të cilët pretenduan se nuk ishin përfshirë në listat e votuesve. Në vijim, komisionerët morën kutitë e votimit dhe u larguan nga selia.
Pavarësisht përpjekjeve për të rifilluar procesin rreth dy orë më vonë, debatet nuk u zgjidhën dhe zgjedhjet u shtynë. Përplasjet u shtrinë edhe mes deputetëve Fidel Kreka dhe Ivi Kaso, të cilët patën qëndrime të ndryshme lidhur me administrimin e listave dhe të drejtën e votës për anëtarët e partisë.
Në fazat e mëparshme të procesit, përveç Bodes dhe Zotos, ishin përmendur edhe emrat e Bravaldi Xhafkës, Edmond Çajkut dhe Hergys Harunit.
