A po përgatitet një tjetër sulm ndaj Iranit? Trump takohet me komandantin e ushtrisë amerikane

Komandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, ka informuar presidentin Donald Trump mbi opsionet e mundshme ushtarake kundër Iranit, gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Lajmi u raportua nga The Wall Street Journal, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe personave të njohur me diskutimet.
Në takim morën pjesë edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjenerali Dan Caine, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit presidencial.
Sipas raportimit, ky takim u parapri nga një tjetër diskutim të mërkurën, ku zyrtarët ushtarakë u takuan me zëvendëspresidentin JD Vance.
Diskutimet zhvillohen në një kohë kur administrata Trump po shqyrton mundësinë e nisjes së një fushate të re ushtarake kundër Iranit, pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite të kryera më herët gjatë këtij viti.
Ndërkohë, SHBA-ja ka shtuar në javët e fundit sistemet e mbrojtjes ajrore, municionet dhe furnizimet e tjera ushtarake në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu, sipas raportimit, një pjesë e trupave amerikane po zhvendosen nga bazat që konsiderohen më të ekspozuara ndaj një hakmarrjeje të mundshme iraniane. /Telegrafi/








































