Ballkani regjistroi një fitore të thellë në javën e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Drenicën me shifrat 4-0.
Vendasit dominuan në pjesën e parë dhe krijuan më shumë mundësi shënimi. Ata realizuan dy herë, por vetëm njëri gol u regjistrua, pasi VAR-i anuloi rrjetën e minutës së 44-t.
Të lidhura
None found
Albin Berisha i dha epërsinë Ballkanit në minutën e 20-të, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0.
Pas pushimit, therandasit vazhduan të ishin më kërkues dhe gjetën edhe tri herë rrugën drejt portës së Drenicës. Berisha shënoi golin e dytë të tij vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, për 2-0.
Giovanni, braziliani i Ballkanit, realizoi në minutën e 64-t pas asistimit të Valentin Serebe. Katër minuta më vonë, Diar Vokrri vulosi fitoren 4-0, që mbeti edhe rezultati përfundimtar.
Me këtë fitore, Ballkani arrin në 16 pikë dhe renditet i gjashti, ndërsa Drenica mbetet në vendin e shtatë me 11 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të luajë në udhëtim kundër Feronikelit ’74, kurse Drenica do të presë Dritën.





