Tragjedia hekurudhore në Spanjë: 31 qese me mbetje trupore ende pa identifikuar, të prekur nga 27 kombësi

Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë ka shkaktuar deri tani 69 viktima, por autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet. Kryeministri Pedro Sanchez tha se mes të vrarëve dhe të plagosurve mund të ketë shtetas të deri në 27 kombësive të ndryshme.

Autoritetet raportojnë se të paktën 70 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Deri më tani është konfirmuar identiteti i vetëm 13 viktimave, ndërsa procesi i identifikimit po has vështirësi të konsiderueshme.

Të lidhura

None found

Mes materialeve që presin të identifikohen janë edhe 31 qese me mbetje të pjesshme trupore, çka e ndërlikon më tej punën e autoriteteve.

Sanchez bëri të ditur se qeveria po bashkëpunon ngushtë me ambasadat dhe konsullatat përkatëse për të përcaktuar nëse shtetas të huaj janë prekur nga aksidenti.

Nga 110 personat e shtruar në spital pas ngjarjes, 71 janë larguar pasi morën trajtimin e nevojshëm. Edhe 39 persona vijojnë të marrin kujdes mjekësor në spital.

Kryeministri pranoi se tragjedia ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te trenat me shpejtësi të lartë, të cilët dikur përbënin një burim krenarie kombëtare për Spanjën. Ai u zotua se qeveria do të angazhohet për ta rikthyer këtë besim dhe për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla.

“Qeveria nuk ka vetëm detyrën të analizojë situatën, por edhe të gjejë zgjidhje, që një tragjedi e kësaj përmase të mos ndodhë më. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë”, deklaroi Sanchez.

Ndërsa vazhdojnë identifikimi i viktimave dhe trajtimi i të plagosurve, autoritetet spanjolle po përballen me një nga aksidentet më të rënda hekurudhore, që ka prekur qytetarë nga shumë vende.


Shtuar më 30.10.2026 14:48