Një bazë e dyshuar për përpunimin dhe magazinimin e lëndëve narkotike është zbuluar në një zonë të pyllëzuar në Koman, ku janë sekuestruar mbi 56.7 kilogramë kanabis. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Gjurmët’, janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë. Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit, të moshave 33 deri në 67 vjeç, dyshohet se bashkëpunonin për transportimin e drogës me automjete dhe varka drejt zonës së Komanit, ku e fshihnin dhe e përgatitnin për shitje.

Gjatë kontrolleve në një ambient të përshtatur për kamping dhe në automjete, u gjetën 10 thasë me kanabis, të cilët u sekuestruan si prova materiale. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

NJOFTIMI:

DVP Shkodër/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, një tjetër operacion për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Operacioni i koduar “Gjurmët”/Gjenden në një zonë të pyllëzuar në fshatin Koman dhe sekuestrohen mbi 56.7 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa (e ndarë në 10 thasë). Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë vëllai i njërit prej tyre, të cilët dyshohet se kishin fshehur lëndën narkotike në pyll dhe po e përgatitnin për shitje.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, si rezultat i një pune hetimore disajavore, me metoda proaktive, finalizoi operacionin policor të koduar “Gjurmët”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:

-P. F., 45 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, M. P., 39 vjeç, banues në fshatin Dush, Vau i Dejës, K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. F., 38 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, vëllai i 45-vjeçarit. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin lëndë narkotike Cannabis Sativa, me automjete dhe me varka, në zonë të pyllëzuar në fshatin Koman, ku e përgatitnin për shitje.

Gjatë ndërhyrjes në këtë zonë, shërbimet e Policisë kryen kontroll në një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të shtetasit P. F., dhe në automjetet në përdorim të shtetasve K. K. dhe M. P., ku gjetën 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë mbi 56.7 kilogramë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme