Dhoma e Avokatisë pezullon bojkotin. Nga dita e hënë, 2 nëntor, avokatët do të jenë prezent në seanca gjyqësore.
“Sot na u vu në dispozicion vendimi i gjykatës së Apelit Administrativ që të pezullohet bojkoti. U përdor autoriteti i karriges dhe nuk është fare mirë. Kjo është mënyra më e keqe. Duke qenë përpara këtij realiteti këshilli i përgjithshëm vendosi të ndërpresë bojkotin duke I komunikuar të gjithë kolegëve që duke nisur nga dita e hënë” tha kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia.
Dhoma e Avokatisë shton se do të vijojë ndjekjen e rrugës ligjore për kundërshtimin e gjobave të vendosura ndaj avokatëve nga Gjykata e Posaçme gjatë periudhës së protestës.
Sipas Haxhisë, gjobat e vendosura nga GJKKO ndaj avokatëve gjatë periudhës së bojkotit, i cili nisi më 8 shtator, kapin vlerën e 250 milionë lekëve. Për këtë arsye, Dhoma e Avokatisë do t’i kundërshtojë ato përmes një padie gjyqësore. Haxhia theksoi se Dhoma e Avokatisë ka qenë e angazhuar që në fillim për zgjidhjen e konfliktit në përputhje me ligjin, duke kritikuar mënyrën se si është trajtuar situata nga Gjykata e Posaçme.
Bojkoti nisi që në fillim të muajit shtator për shkak të kundërshtimit nga ana e avokatëve të rregullores së re të GJKKO-së që iu ndalonte atyre celularët në seancë. Kjo lëvizje bllokoi mbi 500 seanca gjyqësore gjatë këtyre dy muajve duke bëre që të mbahen vetëm procese me karakter urgjent.
© SYRI.net