Fuqia e delegimit: Si të drejtoni pa bërë gjithçka vetë

Shumë drejtues, me përvojë apo në fillimet e karrierës, përballen me mungesë të vazhdueshme kohe dhe mbingarkesë në punë.
Ata janë të lodhur dhe ndiejnë se nuk po u kushtojnë vëmendjen e duhur familjes, miqve dhe punonjësve. Shpesh vazhdojnë të kryejnë detyrat e mëparshme, ndërkohë që përgjegjësitë e pozicionit aktual shtohen.
Kur pyeten se çfarë dëshirojnë më shumë, përgjigjja është pothuajse gjithmonë e njëjtë: “Më shumë kohë!”.
Nuk gjejnë kohë për të reflektuar, për familjen, pasionet apo, më e rëndësishmja, për të menduar në mënyrë strategjike.
Delegimi nuk është gjithçka ose asgjë
Shumë drejtues e shohin delegimin si një zgjedhje ekstreme: ose dorëzojnë plotësisht kontrollin, ose nuk delegojnë fare. Perfeksionizmi i bën shpesh të ndihen të pasigurt dhe ta shmangin këtë proces.
Megjithatë, delegimi i menduar mirë sjell dy përfitime kryesore: u kursen kohë drejtuesve dhe përshpejton zhvillimin profesional të punonjësve.
Zakonisht, drejtuesit zgjedhin mes dy mënyrave: ia kalojnë plotësisht detyrën dikujt tjetër, duke shpresuar për rezultatin më të mirë, ose delegojnë shumë pak, duke kontrolluar pothuajse çdo hollësi të punës.
Si të vendosni kur duhet të delegoni
Përpara se të merrni përsipër një detyrë të re, ekspertja rekomandon shtatë hapa:
- Vlerësoni nëse jeni personi më i përshtatshëm dhe me koston më të ulët për ta kryer detyrën. Nëse jo, delegojeni.
- Bashkëpunoni me punonjësin për të përcaktuar çfarë i nevojitet.
- Identifikoni ku kërkohet mbështetja juaj.
- Vlerësoni rreziqet e suksesit ose dështimit.
- Merrni masa për kufizimin e rreziqeve.
- Përcaktoni vendimet ku duhet të përfshiheni.
- Vendosni mënyrën e raportimit për ecurinë dhe përfundimin e detyrës.
Drejtuesit që delegojnë me sukses shmangin ekstremet. Ata vlerësojnë burimet, bashkëpunimin dhe rreziqet, duke përshtatur nivelin e delegimit me aftësitë e punonjësit dhe natyrën e detyrës.
Përfitimet e delegimit
Delegimi u jep punonjësve mundësinë të mësojnë, të zhvillohen dhe të tregojnë aftësitë e tyre. Kjo forcon vetëbesimin, besimin te drejtuesi dhe besnikërinë ndaj organizatës.
Për drejtuesit, delegimi krijon më shumë kohë për prioritetet strategjike dhe përmirësimin e rezultateve.
Ata nuk kanë më nevojë të kryejnë njëkohësisht detyrat e pozicionit të mëparshëm dhe atij aktual.
Duke u përqendruar në vendimmarrjet strategjike, drejtuesit mund të tejkalojnë pritshmëritë dhe të arrijnë rezultate më të mira, ndërsa përfitojnë më shumë kohë për familjen dhe jetën personale.
Sipas autores, delegimi nuk është thjesht shpërndarje detyrash, por një mënyrë për të zhvilluar punonjësit dhe për të rritur efektivitetin e drejtimit. / Forbes
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









