Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të mbahen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela në intervalin nga 15 prilli deri më 15 maj.
Përpara marrjes së vendimit, kreu i shtetit zhvilloi konsultime me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, si përfaqësues i institucionit përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor.
Në konsultime morën pjesë grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, subjektet e tjera politike nuk iu përgjigjën ftesës së Presidentit dhe nuk shprehën një preferencë për datën e zgjedhjeve.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e pranishëm u shprehën të hapur për alternativat e mundshme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin 2027, duke argumentuar se caktimi i kësaj date, si e diela e fundit e periudhës zgjedhore, krijon më shumë kohë për përgatitjen dhe marrjen e masave të nevojshme për organizimin e procesit. Të njëjtën datë mbështeti edhe Partia Socialdemokrate.

Në arsyetimin e tij, Presidenti Begaj thekson se zgjedhja e datës 9 maj 2027 nuk lidhet me asnjë qëndrim favorizues ndaj subjekteve të caktuara politike dhe nuk krijon rrethana që mund të cenojnë vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.
Pas përfundimit të konsultimeve, Presidenti i Republikës i dha fuqi ligjore datës 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Në mesazhin e tij, Begaj u bëri thirrje forcave politike që të angazhohen në këtë proces me alternativa, platforma dhe kandidatë që përmbushin pritshmëritë e një gare demokratike.
Ai kërkoi gjithashtu që palët të garantojnë një proces të drejtë dhe konkurrues, të respektojnë kuadrin ligjor dhe parimin e barazisë së garës, si dhe të bashkëpunojnë plotësisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet më të larta demokratike.


