Vendosni fjalën kyçe....

Pas dy muajsh bojkot, avokatët rikthehen në gjykata nga e hëna, Haxhia: Beteja ligjore do të vijojë


Pas rreth dy muajsh bojkot, avokatët do t’i rikthehen aktivitetit gjyqësor duke filluar nga dita e hënë.

Vendimi është marrë nga Dhoma e Avokatisë, pas njohjes me masën e përkohshme të dhënë nga Apeli i Gjykatës Administrative, e cila parashikon pezullimin e bojkotit të nisur në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së Gjykatës së Posaçme (GJKKO).

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, sqaroi se ndërprerja e bojkotit nuk nënkupton tërheqjen nga kundërshtimi ndaj rregullores së GJKKO-së. Sipas tij, beteja do të vijojë në rrugë ligjore, përmes ankimit në Apelin e Gjykatës Administrative.

Haxhia deklaroi se Dhoma e Avokatisë ka kërkuar që konflikti të zgjidhej përmes mirëkuptimit dhe bisedimeve, duke kritikuar atë që e cilësoi si imponim të autoritetit institucional.

“Sot na u vu në dispozicion vendimi i Apelit Administrativ dhe masa provizore ishte që bojkoti të pezullohej. Në këto kushte, Këshillit të Përgjithshëm i bëmë të ditur të gjithë situatën dhe përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij konflikti. Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para dhe vazhdon të jetë e mendimit se gjithçka duhet të zgjidhet me mirëkuptim dhe bisedime”, deklaroi Haxhia.

Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është ushtruar autoriteti institucional për zgjidhjen e përplasjes.

“U përdor autoriteti i karriges dhe nuk është mirë që në këtë vend kaq të vogël të ndiqet kjo rrugë, përmes imponimit të autoritetit. Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që, në zbatim të këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë”, u shpreh kreu i Dhomës së Avokatisë.

Haxhia bëri të ditur se Këshilli i Përgjithshëm ka përcaktuar gjithashtu grupet e punës që do të përgatisin ankimin në rrugë ligjore.

Kështu, avokatët do të rikthehen në sallat e gjyqit, ndërsa kundërshtimi i tyre ndaj rregullores së GJKKO-së do të vijojë përmes procedurave gjyqësore.