PDK: Drejtori i policisë nuk mund të bëhet ‘kurban’ për rastin e Arlinda Zekajt

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve, siç tha ajo, të rënda institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj kritikoi ministren Gërvalla për mungesë të përgjegjësisë politike, duke thënë se ndarja e pushteteve nuk mund të përdoret si arsyetim për t'iu shmangur përgjegjësisë institucionale, raporton KosovaPress.
“Kur edhe pas një tragjedie të tillë drejtuesit e institucioneve dalin para qytetarëve për të shpjeguar pse përgjegjësia u takon të tjerëve, atëherë kemi të bëjmë edhe me një krizë të përgjegjësisë shtetërore dhe të ndërgjegjes politike. Pikërisht këtë e pamë sot. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, pranoi dështime të rënda institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, por nuk mori përgjegjësi politike për veten dhe mekanizmin që e ka për detyrë ta koordinojë. Në vend të një akti përgjegjësie, dëgjuam arsyetime për ndarjen e pushteteve dhe kufijtë e kompetencave. Zonja ministre, ndarja e pushteteve nuk është ndarje nga përgjegjësia. Askush nuk po kërkon nga ju që të ndërhyni në vendimet e gjykatave apo të zëvendësoni prokurorinë, por qytetarët kanë të drejtë t'ju kërkojnë llogari për përgjegjësitë që keni marrë përsipër si ministre e Drejtësisë dhe si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën ndaj grave”, tha ajo.
Kabashi-Ramaj përmendi edhe gjetjet e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilat i cilësoi si tronditëse. Sipas saj, në rastin Zekaj nuk është ekzekutuar një urdhër mbrojtjeje, një tjetër është ekzekutuar me vonesë, ndërsa nuk është marrë parasysh kërkesa për rivlerësimin e rrezikut.
Ajo theksoi se këto dështime kanë ndodhur në mekanizmat që kanë për detyrë parandalimin e rasteve të tilla, duke kërkuar përgjigje se kush kishte njohuri për rrezikun dhe pse nuk ndërhyri.
“Gjetjet e bëra publike nga Inspektorati Policor i Kosovës janë tronditëse. Një urdhër mbrojtjeje që nuk është ekzekutuar. Një tjetër ekzekutimi i të cilit është vonuar. Një kërkesë për rivlerësimin e rrezikut që nuk është marrë parasysh. Masa të domosdoshme sigurie që nuk janë ndërmarrë dhe 11 zyrtarë policorë tani të suspenduar. Këto janë dështime në mekanizmat që ekzistojnë pikërisht për të parandaluar humbjen e jetës. Arlinda nuk kërkoi privilegje. Kërkoi atë që Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet ia garantojnë çdo qytetari, mbrojtjen e jetës dhe sigurinë, prandaj sot kërkojmë përgjigje. Kush e dinte kur e dinte kush kishte detyrim të vepronte në këtë rast dhe pse nuk veproi? Por, mbi të gjitha, sa gra të tjera janë sot në rrezik ndërkohë që ne po flasim këtu? Përgjegjësia për këtë siguri nuk përfundon te zyrtarët policorë të suspenduar, por ajo shkon deri te drejtuesit e institucioneve dhe tek ata që mbajnë përgjegjësinë politike për funksionimin e këtyre institucioneve”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së përmendi edhe dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, por sipas saj, kjo nuk duhet të shërbejë për shmangien e përgjegjësisë politike të ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Kabashi-Ramaj kërkoi që në rast se dy ministrat nuk japin dorëheqje, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë largimin e tyre nga detyra ose t'i shkarkojë.
“Gazmend Hoxha ka përgjegjësinë e vet. Ajo duhet të shqyrtohet deri në fund, por drejtori i policisë nuk mund të bëhet kurban i frikës së ministrit për t'u përballur me përgjegjësinë e tij ekskluzive politike. Nëse Ministri e konsideron dorëheqjen të arsyeshme për drejtuesin e policisë, duhet t'u shpjegojë qytetarëve pse përgjegjësia ndalet pikërisht te dera e zyrës së tij. Ministri nuk është penalisht përgjegjës për çdo veprim të një zyrtari policor. Por është politikisht përgjegjës për politikat kushtet dhe drejtimin institucional në fushën që udhëheq. Prandaj sot, kërkojmë dorëheqjen e të dy ministrave, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Dorëheqja, fatkeqësisht, nuk e kthen Arlindën, por vendos një standard të domosdoshëm dështime kaq të rënda nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi politike. Nëse këta dy ministra nuk e ndjejnë e nuk e gjejnë ndërgjegjen dhe përgjegjësinë për ta ndërmarrë vetë këtë akt, atëherë përgjegjësia i kalon drejtpërdrejt kryeministrit të vendit. Ai duhet të kërkojë dorëheqjen e tyre e nëse refuzojnë, duhet t'i shkarkojë”, tha ajo.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj u dënua ashpër nga qytetarët dhe institucionet. Tash e sa ditë po mbahen protesta në qytete të ndryshme të vendit tonë. Në lidhje me rastin, sot ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ndërsa dje janë suspenduar kryeprokurorja në Pejë Lumturie Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë./KosovaPress








































