BE vendos tarifë të re për çdo pako që hyn në treg, masa prek edhe blerjet online nga Kina

30 Tetor 2026 | 16:39

Bashkimi Evropian do të nisë nga 1 nëntori aplikimin e një tarife të re prej 2 eurosh për të gjitha pakot që hyjnë në tregun e përbashkët, pavarësisht vlerës së tyre. Masa synon të mbulojë kostot e trajtimit dhe kontrolleve doganore, në një kohë kur importet me çmime të ulëta nga Kina vijojnë të rriten ndjeshëm.

Tarifa e re do të aplikohet krahas taksës prej 3 eurosh, e cila hyri në fuqi në korrik për pakot me vlerë më të vogël se 150 euro. Kjo e fundit është një masë e përkohshme dhe do të qëndrojë në fuqi deri në vitin 2028, kur pritet të jetë funksional sistemi i ri doganor i teknologjisë së informacionit.

Vendimi vjen në përgjigje të rritjes së importeve përmes platformave të tregtisë online si Temu, Shein dhe AliExpress, të cilat kanë sjellë një fluks të madh produktesh me kosto të ulët në tregun evropian.

Sipas një zyrtari të BE-së, taksat synojnë të garantojnë konkurrencë të barabartë për të gjitha mallrat që hyjnë në tregun evropian, ndërsa tarifa e re do të shërbejë për të përballuar kostot shtesë që krijon tregtia elektronike për autoritetet doganore.

Pagesa prej 2 eurosh do të mbulohet nga platformat, shitësit ose transportuesit dhe do të mblidhet nga 27 shtetet anëtare. Nga të ardhurat e siguruara, 75% do të kalojnë në buxhetin e Bashkimit Evropian, ndërsa 25% do të mbeten për vendet anëtare.

Ndërkohë, taksa prej 3 eurosh e vendosur në korrik duket se ka ndikuar në uljen e importeve. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, gjatë periudhës korrik-shtator numri i pakove të vogla që hynë në BE ra me 60%.

Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, fluksi mbetet i lartë. Sipas Komisionit Evropian, rreth 5 milionë pako vazhdojnë të hyjnë çdo ditë në tregun e Bashkimit Evropian

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump shpërthen ndaj gazetarit të Reuters: “Je i neveritshëm, për kë punon” (VIDEO)

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi ashpër ndaj një gazetari të agjencisë Reuters, pasi ky i fundit e pyeti për shëndetin e tij dhe vendimin për...
15:47 | 30/10/2026

Trafikim i qenieve njerëzore nga Kina, policia finlandeze arreston nëntë persona

Policia finlandeze tha të premten se ka nisur një hetim paraprak dhe ka arrestuar nëntë persona me dyshimin se punëtorët që erdhën nga Kina për...
14:46 | 30/10/2026

Aksidenti hekurudhor me 69 viktima, ministri i Transportit i Spanjës refuzon të japë dorëheqjen

Ministri i Transportit i Spanjës hodhi poshtë të premten thirrjet për dorëheqjen e tij pas aksidentit të dytë vdekjeprurës hekurudhor gjatë mandatit të tij  këtë...
14:24 | 30/10/2026