Pesë ndeshje pezullim për Ilir Dajën, Disiplina ndëshkon rëndë trajnerin e Dinamos

Pesë ndeshje pezullim për Ilir Dajën, Disiplina ndëshkon rëndë trajnerin e Dinamos

16:38, 30/10/2026

Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimet për incidentet e ndodhura në ndeshjet e fundit të futbollit shqiptar, me dënimin më të rëndë që i është dhënë trajnerit të Dinamo City, Ilir Daja. Tekniku dinamovit është pezulluar me pesë ndeshje nga të gjitha veprimtaritë, për shkak të sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe shkeljes së rregullave themelore të sjelljes së mirë.

Vendimi vjen pas situatave të tensionuara në derbin kundër Tiranës, ku Daja u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Enea Jorgji, pas marrjes së kartonit të dytë të verdhë. Komisioni i Disiplinës ka vlerësuar se sjellja e tij përbën shkelje të neneve 13/2 dhe 14/1/j të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Por ndëshkimet për Dinamon nuk janë ndalur këtu. Edhe zyrtari i klubit, Mark Dodaj, është pezulluar me katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.

Nga ana tjetër, masa disiplinore ka pasur edhe për përfaqësuesit e AF Elbasanit. Zyrtari Armand Memetaj është dënuar me katër ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndërsa klubi është gjobitur me 50 mijë lekë për sjelljen e gabuar të spektatorëve, të cilët hodhën sende në fushën e lojës.

Ndërkohë, edhe Tirana ka një të dënuar. Futbollisti Owono Nchama Basilio Ndong është pezulluar me dy ndeshje për sjellje josportive ndaj lojtarëve të skuadrës kundërshtare.

Megjithatë, vëmendja kryesore mbetet te dënimi i Ilir Dajës, i cili do të mungojë në pankinën e Dinamos për pesë ndeshjet e ardhshme. Një goditje për skuadrën kryeqytetase, që në këtë periudhë do të duhet të përballojë mungesën e trajnerit të saj në një moment të rëndësishëm të sezonit.

Më poshtë vendimet e plota:

AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Zyrtari i AF Elbasani, Armand Memetaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i FC Dinamo City, Mark Dodaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Tirana, Owono Nchama Basilio Ndong, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF Pogradeci, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë në ndeshje, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 8/1, 17/1, 17/2/a dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.

Zyrtari i KF Pogradeci, Xhuliano Topuzi, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1, 17/1, dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.

Zyrtari i Flamurtari FC, Shkëlqim Ramaj, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i Flamurtari FC, Josel Shtrepi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

KF Bylis, për mos respektimin e përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, në bazë të nenit 8/1, të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Pranimin e kërkesës së kërkuesit Qendrim Ismaili. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 8, datë 02.04.2026 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, Klubit të Futbollit Tirana i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco