‘San Siro’ rikthehet në kapacitet të plotë, mbi 77 mijë tifozë priten në derbin Milan-Inter

‘San Siro’ rikthehet në kapacitet të plotë, mbi 77 mijë tifozë priten në derbin Milan-Inter

16:33, 30/10/2026

Derbi i Milanos mes Milanit dhe Interit do të zhvillohet në një atmosferë të veçantë, pasi stadiumi “San Siro” do të rikthehet në kapacitetin e tij të plotë. Për sfidën e nesërme në mbrëmje pritet të jenë të pranishëm më shumë se 77 mijë tifozë, falë hapjes së plotë të sektorëve të unazës së tretë në të dyja tribunat e tifozëve.

Vendimi vjen një ditë pas prezantimit të projektit për stadiumin e ri të dy klubeve milaneze. Kështu, ndërsa vëmendja është përqendruar te impianti i ardhshëm, “San Siro” përgatitet të presë një numër rekord spektatorësh për një ndeshje të kampionatit.

Për këtë takim do të hiqen mbulesat që prej vitit 2019 kufizonin përdorimin e plotë të sektorëve “Terzo Anello Blu” dhe “Terzo Anello Verde”. Ky ndryshim do të mundësojë shitjen e rreth 2350 biletave shtesë dhe rikthimin e stadiumit mbi kufirin e 77 mijë të pranishmëve.

Këta sektorë u mbyllën pjesërisht në verën e vitit 2019, pas shqetësimeve për dridhjet që ndiheshin veçanërisht në pjesët qendrore të unazës së tretë të dy tribunave. Megjithatë, specialistët kishin sqaruar që në atë kohë se nuk bëhej fjalë për një problem të qëndrueshmërisë së strukturës së stadiumit, por për një masë menaxhuese, me qëllim shmangien e shqetësimeve dhe situatave alarmuese te spektatorët.

Pavarësisht interesimit të madh të tifozëve ndër vite, kufizimet nuk kishin lejuar që Milani dhe Interi të arrinin shifrat e regjistruara përpara vitit 2019.

Rekordi i fundit i këtij lloji daton më 17 mars 2019, kur derbi mes dy skuadrave u ndoq nga 77.479 spektatorë. Tashmë, përballja e radhës ofron mundësinë që “San Siro” t'i afrohet sërish këtyre shifrave, duke rikthyer atmosferën e plotë të një prej derbeve më të mëdha të futbollit italian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco