Një helikopter u rrëzua në një luginë të Himalajeve, në Indi, duke shkaktuar vdekjen e të gjashtë personave në bord: pesë pasagjerëve dhe pilotit.
Mjeti fluturues ishte nisur nga Badrinath, në shtetin verior të Uttarakhand, ndërsa aksidenti ndodhi në luginën Hoshimath. Autoritetet kanë konfirmuar se askush nga personat që ndodheshin në bord nuk mbijetoi.
Të lidhura
None found
Policia shtetërore bëri të ditur në një deklaratë se po punohet për nxjerrjen e trupave nga vendi i vështirë për t’u arritur dhe transportimin e tyre deri te rruga më e afërt.
Shkaku i rrëzimit nuk është bërë ende i ditur nga autoritetet.
Departamenti Meteorologjik i Indisë kishte parashikuar reshje shiu në të gjithë Uttarakhandin, dy ditë pas goditjes së bregut juglindor të vendit nga cikloni Arnab.
Uttarakhandi është një pikë e rëndësishme pelegrinazhi për hindutë. Në këtë shtet ndodhet Badrinath, ku tempulli i shenjtë kushtuar perëndisë Vishnu vizitohet nga miliona pelegrinë çdo vit.
Për t’u mundësuar udhëtimi drejt faltoreve malore, disa kompani ofrojnë transport me helikopterë me qira. Këto shërbime shfrytëzohen kryesisht nga pelegrinët që duan të shmangin rrugëtimin e vështirë në terrenin malor.






