Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt - rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse veprimi i tij lidhet me trajtimin institucional të këtij rasti, Hoxha tha se “lidhet me dorëheqje morale”.


Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse me këtë nënkupton se ndien përgjegjësi për lëshimet institucionale në trajtimin e rastit.

Më herët gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit njoftoi se Albin Kurti kishte pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e kishte liruar atë nga detyra.

Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti caktoi Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, u tha në njoftim.

Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës.

Largimi i tij vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.

Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.

Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.

Vrasja e Zekajt, 49 vjeçe, nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin./Radio Evropa e Lirë/