Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, priti në takim Sandra Oudkirk, zëvendësen civile të Komandantit dhe këshilltaren për Politikë të Jashtme të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).
Sipas një njoftimi të publikuar prej tij në Facebook, biseda u përqendrua te bashkëpunimi mes Kosovës dhe USEUCOM-it, si dhe te mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit në sektorin e mbrojtjes.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit u diskutua edhe e ardhmja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), krahas mundësive për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes.
Maqedonci bëri të ditur se e falënderoi Oudkirk për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se partneriteti me SHBA-në mbetet i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.






