Më shumë se 100 mijë persona kanë protestuar në qytete të ndryshme të Italisë kundër qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni, në një ditë të shënuar nga greva e përgjithshme dhe tensionet mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Tubimet më të mëdha u zhvilluan në Romë, Milano, Napoli dhe Torino, ndërsa nxënës, studentë, punëtorë dhe përfaqësues të sindikatave iu bashkuan protestave në mbi 50 qytete të vendit.
Në Torino situata u tensionua në “Piazza Castello”, ku policia ndërhyri ndaj studentëve dhe aktivistëve të lëvizjeve antagoniste që po zhvillonin marshimin. Forcat e rendit përdorën autobotin me ujë për të zmbrapsur demonstruesit, të cilët ishin afruar pranë kordonit të sigurisë që mbronte prefekturën. Ndërhyrjet zgjatën disa sekonda, ndërsa autoboti vijoi të qëndronte në veprim.
Në Milano, rreth 30 mijë persona morën pjesë në marshimin e organizuar nga sindikata USB dhe grupet studentore. Protestuesit dolën në unazën lindore të qytetit, e cila ishte mbyllur paraprakisht për trafikun, me synimin për të bllokuar në mënyrë paqësore një segment të saj. Marshimi vijoi për rreth një kilometër deri në daljen drejt rrugës Padova, pa u raportuar incidente në këtë pjesë të protestës.
Përplasje u regjistruan edhe në Mestre, ku shtatë efektivë policie mbetën lehtë të plagosur me kontuzione dhe prerje. Sipas drejtorit të policisë së qytetit, Antonio Sbordone, incidentet ndodhën pasi një grup protestuesish tentoi të kapërcente bllokadën e vendosur në itinerarin e demonstratës dhe të vijonte drejt një mbikalimi.
Ndërkohë, në Vicenza, organizatorët raportuan tre demonstrues të plagosur, njëri prej të cilëve dyshohet se u godit në kokë nga një granatë lotsjellëse. Përplasjet ndodhën pranë unazës së qytetit, ku protestuesit tentuan të çanin kordonin policor. Për shpërndarjen e turmës, policia përdori autobotin me ujë.
Në Palermo, pak më shumë se 2 mijë persona, mes tyre studentë, punëtorë dhe përfaqësues të sindikatave, iu bashkuan grevës së përgjithshme të thirrur nga USB. Protestuesit kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, luftën dhe politikat e riarmatimit, ndërsa kërkojnë më shumë investime në shëndetësinë publike dhe përmirësimin e kushteve në shkolla.
Pankartat dhe thirrjet e demonstruesve kanë vënë në fokus shtrenjtimin e produkteve bazë, rritjen e qirave dhe faturave të shërbimeve, si dhe politikat e qeverisë për riarmatimin.
Edhe në Piza, të paktën 2 mijë persona morën pjesë në marshimin e organizuar nga USB. Në protestë u bashkuan grupe të së majtës radikale dhe qindra nxënës të shkollave të mesme.
Marshimi në qendër të qytetit vijoi në mënyrë paqësore, me forcat e rendit që monitoruan situatën. Deri në momentin e raportimit nuk ishin evidentuar incidente.


