Presidenti i El Salvadorit merr miratimin e Trump për dërgimin e 2 mijë ushtarëve në Haiti, në luftën kundër bandave kriminale

30 Tetor 2026 | 18:26

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka marrë miratimin e homologut amerikan, Donald Trump, për të dërguar trupa ushtarake në Haiti, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar bandat e armatosura që kanë zhytur vendin në një krizë të rëndë sigurie.

Sipas një raportimi të Axios, Bukele ka zhvilluar një telefonatë me Trump të martën, për të siguruar mbështetjen e Uashingtonit për operacionin, i cili ka marrë gjithashtu miratimin e qeverisë haitiane.

“Bëj atë që duhet të bësh”, mësohet t’i ketë thënë Trump presidentit salvadorian. Gjatë bisedës, presidenti amerikan shprehu gjithashtu ngushëllimet për katër ushtarakët salvadorianë që rezultojnë të zhdukur pas një prite në Haiti.

El Salvadori njoftoi të mërkurën se do të dërgojë deri në 2 mijë trupa ushtarake, me mundësinë e shtimit të mëtejshëm të forcave në terren.

Megjithatë, sipas Axios, iniciativa e Bukeles nuk ka gjetur mbështetjen e plotë të administratës amerikane. Presidenti salvadorian kishte propozuar më herët që vendi i tij të merrte përsipër operacionin për rivendosjen e rendit në Haiti, në rolin e një force përfaqësuese të SHBA-së. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, raportohet se e ka kundërshtuar këtë ide, duke preferuar që Uashingtoni të mos përfshihet drejtpërdrejt.

Bukele kishte kërkuar gjithashtu pajisje ushtarake amerikane, përfshirë dronë dhe avionë transporti, por kërkesat e tij janë refuzuar. Ndërkohë, Kolumbia mund të shërbejë si një kanal alternativ për sigurimin e pajisjeve, në mënyrë që operacioni të vijojë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.

Haiti po përballet me një krizë të rëndë sigurie, ku dhuna e bandave të armatosura ka shkaktuar më shumë se 5,700 viktima vetëm gjatë këtij viti. Situata ka lënë shumë komunitete nën terror dhe ka vështirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në shërbimet bazë.

Vetë Bukele ka mbrojtur vendimin për dërgimin e trupave, duke deklaruar në rrjetin social X se El Salvadori nuk ka shkuar në Haiti për përfitime financiare.

“Ne nuk erdhëm në Haiti për të fituar para, sepse askush nuk po na paguan për ta bërë këtë. Ne erdhëm në Haiti për të luftuar kundër të ligjve”, shkroi ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nis takimi i ministrave të Jashtëm të G20 në SHBA, në fokus ekonomia globale dhe tensionet gjeopolitike

Takimi dyditor i ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-ës ka nisur të premten në Atlanta të Xhorxhias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke...
18:14 | 30/10/2026

BE gati për negociata paqeje për Ukrainën: Presim që Rusia të angazhohet në bisedime reale

Bashkimi Evropian është i gatshëm të angazhohet në negociata paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se është përgatitur prej kohësh për...
17:02 | 30/10/2026

Arabia Saudite pezullon udhëtimet drejt Kenias për shkak të Ebolës

Arabia Saudite ka njoftuar masa të reja parandaluese kundër përhapjes së virusit Ebola, duke përfshirë pezullimin e udhëtimeve drejt dhe nga Kenia, pas një vlerësimi...
16:59 | 30/10/2026