Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga viti i ardhshëm shkollor do të zgjatet orari i qëndrimit të fëmijëve në shkolla, deri në orën 17:00.
Sipas tij, kjo masë synon të lehtësojë prindërit që punojnë, ndërsa nxënësit do të kenë mundësi të angazhohen në aktivitete sportive, kulturore dhe artistike.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se është parashikuar edhe një buxhet për zbatimin e kësaj nisme.
Ai theksoi se aktivitetet do të përfshijnë fusha të ndryshme, nga sporti dhe kultura te piktura, fotografia, zejet dhe arti skenik.
“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.
