Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka marrë dhjetëra mesazhe nga studentë dhe prindër, të cilët denoncojnë raste intimidimi dhe kërcënimesh ndaj të rinjve për shkak të qëndrimeve të tyre lidhur me protestat.
Sipas tij, disa studentë kanë kërkuar që identiteti i tyre të mos bëhet publik, pasi kanë frikë nga pasojat.
Gjatë fjalës në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama solli si shqetësim presionin që, sipas tij, u bëhet studentëve për të mos marrë pjesë në mësim ose për t’u rreshtuar në mbështetje të protestave.
“Nuk e kam menduar ndonjëherë që do jetoja një Shqipëri ku frika për të folur do ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë dhe, nëse ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj, të kërcënoj dhe të vendos para një zgjedhjeje, që është zgjedhje dramatike. Ose të jesh me mua, të mos vish në mësim, ose të jesh target i dhunës sime”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se ka marrë mesazhe nga studentë që kërkojnë të mbeten anonimë, si dhe nga prindër që i drejtohen për ndihmë, pasi ndihen të pafuqishëm përballë kërcënimeve ndaj fëmijëve të tyre.
“Kam dhjetëra mesazhe të studentëve që më kërkojnë të jenë anonimë se kanë frikë. Kam dhjetëra mesazhe të prindërve të këtyre studentëve që luten për ndihmë, sepse ndihen të pafuqishëm ndaj fëmijëve të tyre të intimiduar e të kërcënuar në një gjuhë që është kriminale”, deklaroi Rama.
Në përfundim, kryeministri kërkoi angazhimin e institucioneve dhe të aktorëve të shoqërisë civile për të mbështetur fëmijët dhe familjet që përballen me situata të tilla, duke theksuar se ata nuk duhet të lihen vetëm përballë presioneve dhe kërcënimeve.
