Live From Tirana Rajoni

“Rasti i Arlinda Zekaj nuk është i pari”/Leonita Bajrami: Shteti ka dështuar ta mbrojë…

Nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë gazetarja Leonita Bajrami, për të raportuar mbi protestat që po ndodhin në Kosovë pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj nga kunati i saj…

Ajo çka e bën akoma më të rëndë është që edhe dy ministrat përgjegjës të linjës së shtyrjes së politikave realisht mbi funksionimin e shtetit në mbrojtje të viktimave kanë refuzuar të japin dorëheqje. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë që nuk është momenti që ajo të japë dorëheqje. E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thotë se nuk do të zgjidhë asgjë dorëheqja e tij. Kujtojmë se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla është përgjegjëse dhe nën juridiksionin e kësaj ministrie bën qendrat për punë sociale ku Arlinda Zekaj kishte kërkuar po ashtu ndihmë. Në anën tjetër, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, natyrisht bie funksionimi i Policisë së Kosovës dhe në këtë rast edhe Policisë Rajonale të Pejës, derisa edhe vetë ministrat kur prezantuan raportin thanë se gjetjet tregojnë se ka një dështim të zinxhirit komandues në këto institucione që nga qendrat për punë sociale, Policia e Kosovës dhe deri te Prokuroria e gjykata, të cilët nuk e kanë trajtuar si duhet rastin e Arlinda Zekajt. Të kujtojmë që e njëjta ka kërkuar mbrojtje të shtetit kundrejt ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj. E përderisa ministrat dolën në konferencë për media edhe e pranojnë dështimin e institucioneve të Kosovës e refuzojnë të japin dorëheqje, natyrisht ka shkaktuar zemërim edhe te qytetarët që mëngjesin e sotëm para se të nisë konferenca dhe derisa zhvillohej konferenca, bënë thirrje për dorëheqje po edhe për shkarkime të zinxhirit komandues dhe të gjitha institucioneve që dështuan të mbrojnë Arlinda Zekajn nga ish-bashkëshorti i saj.

Fatkeqësisht është zhdukur nga skena politike përgjegjësia morale edhe në rastin konkret bëhet fjalë për një gjë të tillë. Marrë parasysh se siç thashë janë institucione që janë nën juridiksionin dhe nën menaxhimin e ministrive përkatëse ku kërkohet dorëheqja e ministrave Sveçla dhe Gërvalla. Nëse mund ta them kështu, nuk është se mbase edhe nuk kanë pasur njohuri Sveçla dhe Gërvalla direkt mbi procedurat që po zhvilloheshin dhe kërkesat e Arlinda Zekajt. Megjithatë, përgjegjësi e tyre është shtyrja përpara e politikave që mbrojnë gratë në rastin konkret. Ministrja Gërvalla është edhe koordinatore ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave që konsiderohet se përgjegjësia më e madhe bie mbi të edhe pikërisht për shkak të këtij pozicioni që e mban, sepse Kosova ka një rresht më saktësisht të zbatimit të Strategjisë Kombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe mbrojtjen e fëmijëve, të cilën e drejton zonja Gërvalla. Kështu që përgjegjësia morale në këtë rast duhet të merrej parasysh sidomos në rastin e Gërvallës, por edhe të ministrit Sveçla. Ajo çka mund të themi është se janë kryer në të kaluarën trajnime që se si policë që janë reaguesit e parë kur një viktimë e dhunës në familje drejtohet për të kërkuar ndihmë, por tashmë është e qartë dhe e dokumentuar nga vetë Arlinda Zekaj që ka një neglizhencë në kryerjen e detyrës dhe punëve të tyre, sidomos nga policia, vazhduar pastaj edhe nga prokuroria dhe nga gjykata. Është virale tashmë audio incizimi i Arlinda Zekaj teksa diskuton me Togerin, Faruk Muçolli dhe i kërkon që të ndërhyjë dhe të zbatojë urdhërin mbrojtës të Gjykatës Themelore të Pejës. E ajo përballet me një përgjigje se Togeri në këtë rast është lodhur nga kjo çështje.