Papa Leo XIV ka shënuar një moment historik, duke u bërë i pari në historinë e Kishës Katolike që merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në Shtetet e Bashkuara. Kreu i Vatikanit ka votuar me postë në zgjedhjet e mesit të mandatit, që do të mbahen më 3 nëntor në shtetin e Illinoisit.
Lajmi u konfirmua nga Vatikani, i cili bëri të ditur se Papa, i lindur në Çikago me emrin Robert Prevost, e kishte dërguar fletën e votimit përpara zhvillimit të zgjedhjeve.
Sipas zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Leo XIV e ka ushtruar të drejtën e votës si qytetar amerikan sa herë që ka pasur mundësi, përfshirë edhe gjatë periudhës kur jetonte në Peru, ku shërbeu për më shumë se dy dekada si misionar dhe më pas si peshkop.
“Ati i Shenjtë shpreh besimin e tij në të drejtën dhe detyrën e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, thuhet në deklaratën e Vatikanit.
Votimi i Papës u raportua fillimisht nga gazeta “Chicago Sun-Times”, e cila iu referua një zyrtari të administratës zgjedhore të Qarkut Will. Sipas këtij të fundit, Robert Prevost kishte kërkuar një fletë votimi me postë më 3 tetor. Megjithatë, nuk është bërë e ditur mënyra se si ai e ka dorëzuar atë.
Të dhënat zgjedhore tregojnë se Prevost ka marrë pjesë në pesë zgjedhje paraprake që nga viti 2000. Në dy prej tyre ka kërkuar fletë votimi demokrate, ndërsa në tri të tjerat republikane. Këto të dhëna nuk zbulojnë se cilët kandidatë ka mbështetur, pasi votuesit nuk janë të detyruar të deklarojnë preferencat e tyre partiake në zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas të njëjtave të dhëna, Papa ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha zgjedhjet e përgjithshme amerikane që nga viti 2000, me përjashtim të atyre të viteve 2020 dhe 2022.
Votimi i tij vjen në një periudhë të karakterizuar nga përplasje publike me presidentin amerikan Donald Trump. Që prej zgjedhjes në krye të Kishës Katolike, Leo XIV ka kritikuar luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe ka kërkuar trajtim dinjitoz për emigrantët. Qëndrimet e tij kanë nxitur reagime nga Trump, i cili e ka cilësuar më herët Papën si “të dobët” dhe “peng të së majtës radikale”.
Në përgjigje të kritikave, gjatë një udhëtimi në Algjeri, Papa deklaroi se nuk kishte frikë nga administrata Trump dhe se do të vazhdonte të përcillte mesazhin e Ungjillit.
Ai ritheksoi gjithashtu kundërshtimin ndaj luftës dhe angazhimin për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin mes shteteve. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, tensionet publike mes dy figurave janë zbutur.


