Kryeministri Edi Rama ka akuzuar ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se ka tentuar ta rrëzojë nga pushteti dhe se ka financuar grupe personash për të marrë pjesë në protestat e javëve të fundit.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, Rama i ka bërë këto deklarata gjatë një mbledhjeje me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku ka folur edhe për transferimin e Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
“Kam marrë informacione të sakta dhe të verifikuara që Erjon Veliaj ka dashur të më rrëzojë nga pushteti dhe se ai ka financuar grupe njerëzish për të dalë në protestat e javëve të fundit”, mësohet të ketë deklaruar Rama para të pranishmëve, raporton lapsi.al
Sipas të njëjtave burime, kryeministri nuk ka dhënë detaje mbi informacionet që pretendon se disponon, se nga kush i ka marrë apo nëse ato janë verifikuar nga institucionet përkatëse. Ai u ka kërkuar pjesëmarrësve që të mos flasin publikisht për këtë çështje.
“Nuk dua të dëgjoj më se ka të drejta apo se nuk ka të drejta Veliaj për trajtimin e tij në burgje. Kush merret me atë, është me atë”, mësohet të ketë thënë Rama, duke kërkuar mbylljen e debatit brenda Partisë Socialiste për trajtimin e ish-kryebashkiakut.
Deklaratat e raportuara të kryeministrit vijnë pas diskutimeve që u hapën në radhët e socialistëve lidhur me transferimin e Veliajt në burgun e Fierit dhe kërkesave për sqarime mbi arsyet e këtij vendimi.a.b





