Vendosni fjalën kyçe....

Rusi akuzohet për spiunazh në Poloni, fotografoi linjat hekurudhore


Një shtetas rus është akuzuar për spiunazh në Poloni, pasi u kap duke fotografuar infrastrukturën hekurudhore të vendit, njoftoi të premten policia e rajonit të Silezisë së Poshtme.

Autoritetet bënë të ditur se efektivët e policisë, të cilët po patrullonin pas një ndeshjeje futbolli në Świdnica, në jugperëndim të Polonisë, ndeshën rastësisht me 55-vjeçarin rus teksa fotografonte trenat që kalonin në një kryqëzim hekurudhor të pambrojtur, shkruan Politico.

“Gjithçka tregon se fotografitë që ai ka bërë mund të përdoren kundër sigurisë së shtetit”, shkroi policia rajonale në një deklaratë për shtyp.

Policia gjeti një sasi të madhe provash që sugjeronin se burri kishte fotografuar në mënyrë sistematike infrastrukturën strategjike. “Kishte fotografi të vendeve të ndryshme dhe të objekteve të rëndësishme të komunikimit, jo vetëm në Poloni”, tha Łukasz Dutkowiak, zëdhënës i policisë së Silezisë së Poshtme, për Radio Wrocław.

Prokurorët po hetojnë tashmë “veprimtari në favor të shërbimeve të huaja të inteligjencës kundër Republikës së Polonisë”, shtoi autoriteti rajonal.

Polonia është përballur gjatë vitit të fundit me disa sulme sabotazhi ndaj infrastrukturës së saj ushtarake dhe hekurudhore. Kryeministri Donald Tusk akuzoi shtetas ukrainas për “bashkëpunim me shërbimet ruse”, pasi një sulm në nëntor 2025 dëmtoi një linjë hekurudhore pranë kufirit polako-ukrainas.

Në fund të gushtit, zjarre shpërthyen në një fabrikë të prodhimit të komponentëve për dronë në Skarżysko-Kamienna dhe në një objekt që prodhon pjesë për avionë në Lublin. Në shtator, një stacion komunikimi Starlink u dogj pranë Varshavës.

“Rusia nuk ka nevojë as të kalojë kufirin tonë”, deklaroi Tusk pas sulmeve të shtatorit. “Ajo tashmë po zhvillon një luftë hibride kundër nesh, duke përdorur dronë, akte sabotazhi dhe dezinformim në internet”.

Zyrtarët evropianë kanë vënë në dukje një intensifikim të sulmeve të sabotazhit nga Rusia gjatë muajve të fundit, ndërsa presidenti Vladimir Putin synon të pengojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe të rrisë koston politike të mbështetjes për Kievin.