Pushimi i hetimeve ndaj disa ministrave, Prokuroria Speciale: Vendimet janë marrë në bazë të provave

Prokuroria Speciale e Kosovës reagoi ndaj raportimeve në disa media se pas shkarkimit të kryeprokurorit të kësaj prokurorie Blerim Isufajt janë pushuar hetimet ndaj tre ministrave të Qeverisë së Albin Kurtit.
Sipas kësaj Prokurorie, vendimet janë marrë në bazë të provave dhe kritereve ligjore e jo si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit.
Në një sqarim publik, Prokuroria ka bërë të ditur se nga 2 tetori 2026, kur kanë ndodhur ndryshimet në udhëheqjen e saj, e deri më tani, ka ngritur 10 aktakuza ndaj 31 personave, ka marrë nëntë vendime për pushimin e hetimeve ndaj 14 personave dhe ka hedhur poshtë nëntë kallëzime penale ndaj 21 personave.
Duke iu referuar rasteve konkrete të përmendura në media, Prokuroria ka sqaruar se vendimi për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit Liburn Aliu është marrë më 11 shtator 2026, pra para ndryshimeve në udhëheqjen e këtij institucioni.
Ndërkaq, për Faton Pecin dhe Fitore Pacollin, hetimet ndaj të cilëve kishin filluar më 4 korrik 2025, vendimi për pushimin e tyre është marrë më 26 tetor 2026 nga i njëjti prokuror special që i kishte nisur hetimet.
Sipas Prokurorisë, vendimet janë marrë pas vlerësimit të provave dhe rrethanave konkrete të secilit rast, në përputhje me kriteret ligjore.
Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se, përveç rasteve të përmendura në raportimet mediatike, gjatë kësaj periudhe janë pushuar hetimet edhe ndaj ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në dy raste të ndara, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të profilit të lartë.
Po ashtu, është hedhur poshtë kallëzimi penal ndaj kryetarit aktual të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Prokuroria Speciale ka theksuar se vendimmarrjen e bazon në ligj, provat e administruara dhe vlerësimin profesional të prokurorëve, pavarësisht përkatësisë politike të personave të përfshirë në raste.
Në reagim, ajo ka garantuar pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e funksionit, duke theksuar se ata kanë liri të plotë profesionale dhe institucionale për të hetuar dhe vendosur pa presion, ndikim apo ndërhyrje.
“Qëndrimi i Prokurorisë Speciale është i qartë: asnjë rast nuk ka rezultat të paracaktuar dhe asnjë prokurori nuk i diktohet se si të vendosë”, thuhet në sqarimin e këtij institucioni.









































