
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar antikushtetues vendimin për përjashtimin e tij me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, pas deklaratave të bëra në seancën e fundit plenare, të cilat mazhoranca i konsideroi nxitëse të dhunës. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk toleron kundërshtimin politik dhe se, sipas tij, vendimi për përjashtimin është dëshmi e kësaj mendësie.
“Ky është një përjashtim në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Shqipërisë, pasi deputeti është i lirë të shprehë deklaratat e tij në Kuvend”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar vendimin si shprehje të një “mendësie prej xhelati”. Duke iu rikthyer deklaratave që shkaktuan reagimin e mazhorancës, kreu demokrat tha se qëndrimi i tij lidhej me dhunën që, sipas tij, po ushtrohet ndaj studentëve pjesëmarrës në protestë.
Berisha argumentoi se deputetët që mbështesin qeverinë dhe ligjet e saj mbajnë përgjegjësi politike për këtë situatë. “Pse më përjashtoi? Sepse unë u thashë që ata deputetë që votojnë Ramën dhe ligjet e tij e meritojnë të gjithë atë dhunë, terror e torturë që falangat e tij ushtrojnë ndaj studentëve paqësorë në revoltën e tyre”, u shpreh ai në ”A2cnn”.
Berisha mbrojti edhe cilësimin e Kuvendit si “parlament i krimit”, duke pretenduar se në të bëjnë pjesë persona me rekorde kriminale dhe se lidhjet mes politikës dhe krimit janë më të theksuara se kurrë. “Ai parlament është i krimit. Në atë parlament ka kriminelë më të mëdhenj se ata që janë në burgjet e Shqipërisë, të llojit të Ballës dhe Ramës”, deklaroi kreu i PD-së. Ai këmbënguli se kjo deklaratë nuk ishte e rastësishme, por një qëndrim i shprehur me vetëdije të plotë, për të cilin pretendon se mund të paraqesë prova. “I kam thënë me vetëdijen më të plotë dhe mund ta faktoj para shqiptarëve se çfarë kriminelësh janë këta”, përfundoi Berisha.
