Portieri i kombëtares së Argjentinës, Emiliano Martínez, ka zbuluar se dëmtimi i pësuar në gishtin unazor të dorës së djathtë pak para Kupës së Botës i ka lënë pasoja të përhershme. Ai nuk arrin më ta përkulë plotësisht gishtin dhe, sipas tij, kjo gjendje do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Portieri tregoi dorën gjatë një interviste me gazetarin argjentinas Gastón Edul, i cili publikoi pamjet në rrjetet sociale. Në video shihet se Martínez nuk arrin ta mbyllë plotësisht grushtin, për shkak të kufizimit të lëvizjes së gishtit të dëmtuar.
“Ende nuk mund ta përkul siç duhet. Kështu më mbeti pas Kupës së Botës dhe do të jetë kështu për pjesën tjetër të jetës sime”, deklaroi ai.
Sipas portalit argjentinas Diario Pampero, dëmtimi ndodhi disa javë përpara nisjes së turneut, kur Martínez aktivizohej me Aston Villën. Megjithatë, portieri vendosi të vazhdonte të luante dhe e përfundoi të gjithë kampionatin botëror me gishtin e thyer.
Gazetari Edul shpjegoi se përmes publikimit të videos synonte t’u tregonte tifozëve shkallën e dëmtimit me të cilin portieri kishte përballuar ndeshjet e Botërorit.
Më herët, siç raporton El Intransigente, Martínez kishte rrëfyer se gishti i shkakton dhimbje të përditshme dhe se kishte vendosur të mos i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në atë periudhë.
Sipas tij, specialistë të kirurgjisë së dorës nga Shtetet e Bashkuara dhe Anglia e kishin paralajmëruar se nuk mund të vazhdonte të luante pa u operuar. Megjithatë, portieri zgjodhi ta shtynte ndërhyrjen për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
🚨Emiliano Martínez can’t close all the fingers on his right hand He’s said it will be this way for the rest of his life https://t.co/PXlFkIFKLF
— Polymarket Sports (@PolymarketSport) October 30, 2026


