Rasti i radhës i trajtuar këtë të premte, më 30 tetor, në emisionin “Stop” lidhet me qytetarin Bashkim Lisaj, emigrant në Irlandë, i cili i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi pretendon, se është dënuar padrejtësisht për një mur rrethues, të ndërtuar në një tokë, që e kishte shitur pesë vite më parë.
Në tetor 2021, ai shiti një tokë arë në ish-komunën Rrethina, Shkodër, dhe u largua drejt Irlandës. Por në vitin 2026, ai u ndalua në Rinas nga policia dhe u informua, se kishte një vendim gjykate të formës së prerë për ndërtim pa leje. Sipas Lisajt, bëhej fjalë për një mur rrethues në tokën, që ai kishte shitur.
Ai tregon se, në momentin e shitjes, prona ishte tokë arë, me ferra dhe pa asnjë mur. Pas arrestimit, u dërgua në burgun e Reçit dhe u lirua pas pak ditësh, pasi avokati kërkoi rishqyrtimin e çështjes.
Interesimi i “Stop” në Kadastër zbulon, se kontrata e shitjes ishte regjistruar në vitin 2021, ndërsa vetëm një muaj më vonë, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit kishte konstatuar murin rrethues.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar, kur inspektorët shkuan në terren, nuk gjetën asnjë person. Juristi Arben Llangozi e cilëson rastin një shkelje të rëndë procedurale, duke argumentuar, se qytetari duhej të ishte njoftuar për hetimin dhe procesin gjyqësor.
Përveç pretendimit, se toka ishte shitur përpara ndërtimit të murit, ai ngre shqetësimin për cënimin e të drejtave të qytetarit.
/tvklan.al












