Një krizë e fortë politike dhe institucionale ka përfshirë Poloninë, pas ndërhyrjes së policisë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimit të presidentit të saj. Zhvillimet kanë shkaktuar akuza për një ‘grusht shteti’ dhe kanë detyruar presidentin e vendit, Karol Nawrocki, të ndërpresë vizitën zyrtare në Senegal dhe të kthehet me urgjencë në Varshavë.
Në qendër të konfliktit është përplasja mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidencës për kontrollin e sistemit gjyqësor. Mosmarrëveshjet kanë rrënjë në reformat e ndërmarra nga qeveria e mëparshme dhe tashmë kanë vënë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve dhe legjitimitetin e vendimeve të tyre.
Avioni që transportonte presidentin Nawrocki drejt Senegalit ndryshoi itinerar të premten, pasi policia hyri në ambientet e gjykatës dhe presidenti i saj u pezullua.
‘Në një kohë si kjo, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po e ndërpres udhëtimin tim në Senegal. Po kthehem’, shkroi Nawrocki në rrjetin social X.
Nga ana e tij, kryeministri Donald Tusk mbrojti veprimet e qeverisë, duke i lidhur ato me procesin e rivendosjes së sundimit të ligjit.
‘Rivendosja e sundimit të ligjit është detyra jonë. Pas viteve të anarkisë nën udhëheqjen e PiS (Ligj dhe Drejtësi), ky proces është i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm dhe kërkon veprim vendimtar. Nuk ka rrugë tjetër’, deklaroi Tusk.
Policia bëri të ditur se oficerët hynë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese pas incidenteve të ndodhura jashtë godinës, ku sipas saj, drejt efektivëve u hodhën objekte të rrezikshme.
Përplasja e fundit është pjesë e konfliktit të vazhdueshëm mes qeverisë së Tusk dhe forcave politike të lidhura me ish-qeverinë e PiS, nga njëra anë, dhe presidencës, nga ana tjetër, për drejtimin dhe legjitimitetin e institucioneve të drejtësisë.
© SYRI.net
SHBA miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, marrëveshja kap vlerën e 2.1 miliardë dollarëve
Mbreti Charles viziton vendin ku u varën 33 skllevër, Karaibet i kërkojnë Britanisë falje dhe dëmshpërblime
Gjykata federale bllokon rihapjen e Lotarisë Amerikane 2027, aplikimet mbeten të pezulluara