Mali i Zi, një hap para drejt BE-së: Çfarë mund të mësojë Ballkani Perëndimor

Intervistë me znj. Maida GorÄeviÄ, ministre e Çështjeve Europiane e Malit të Zi
Përparimi i Malit të Zi është rezultat i ndërthurjes së vullnetit të fortë politik me punën intensive për zbatimin e reformave. Kemi ndjekur standardet dhe metodologjinë e përcaktuar nga Komisioni Europian, duke shfrytëzuar njëkohësisht ekspertizën e vendeve anëtare të BE-së. Kemi përfituar si nga klima e favorshme për zgjerimin në nivel europian, ashtu edhe nga vullneti politik brenda vendit.
Mali i Zi është vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke ofruar një përvojë të vlefshme për ekonomitë e tjera të rajonit.
Me 21 nga 33 kapitujt e negociatave të mbyllur përkohësisht, vendi synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të anëtarësohet në BE në vitin 2028.
Por, përtej përafrimit të legjislacionit, sfida e vërtetë mbetet përgatitja e bizneseve për mundësitë dhe presionin konkurrues të Tregut Unik Europian. Kjo është në fakt një sfidë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku kompanitë duhet të përshtaten me standardet kërkuese të BE-së, duke investuar në teknologji të reja, procese prodhimi, kualifikimin e punonjësve dhe certifikimin e produkteve.
Përvoja e mëparshme e Kroacisë ka treguar se ky transformim kërkon jo vetëm burime financiare, por edhe informacion, asistencë teknike dhe mbështetje institucionale, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme.
Për vendet e rajonit, pyetja nuk është më vetëm se kur do të anëtarësohen në BE, por edhe nëse bizneset e tyre do të jenë të përgatitura për të konkurruar në tregun europian.
Në një intervistë për “Monitor”, Maida GorÄeviÄ, ministre e Çështjeve Europiane e Malit të Zi, ndan përvojën e vendit të saj në përshpejtimin e procesit të integrimit dhe përgatitjen e ekonomisë për anëtarësim.
Ajo flet për sfidat që përballojnë bizneset, masat për t’i ndihmuar ato të përshtaten me kërkesat europiane dhe përfitimet që priten nga hyrja në Tregun e Vetëm Europian.
Znj. GorÄeviÄ thekson edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar se përparimi i Malit të Zi mund të krijojë mundësi të reja për ekonomitë fqinje dhe të ndihmojë integrimin europian të Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Mali i Zi është aktualisht vendi i Ballkanit Perëndimor më pranë anëtarësimit në BE. Si po ecën procesi i negociatave, kur prisni të anëtarësoheni dhe çfarë e ka mundësuar Malin e Zi të përparojë më shpejt se vendet e tjera të rajonit?
Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt e negociatave. Besoj se kjo është një arritje e rëndësishme, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për vendet e tjera kandidate, pasi tregon se procesi i zgjerimit të BE-së mund të japë rezultate konkrete.
Përparimi i Malit të Zi është rezultat i ndërthurjes së vullnetit të fortë politik me punën intensive për zbatimin e reformave. Kemi ndjekur standardet dhe metodologjinë e përcaktuar nga Komisioni Europian, duke shfrytëzuar njëkohësisht ekspertizën e vendeve anëtare të BE-së.
Kemi përfituar si nga klima e favorshme për zgjerimin në nivel europian, ashtu edhe nga vullneti politik brenda vendit.
Në më pak se tre vjet, kemi arritur të marrim një vlerësim pozitiv në kuadër të Raportit të Vlerësimit të Kritereve të Ndërmjetme (IBAR – Interim Benchmark Assessment Report) dhe të mbyllim përkohësisht 18 kapituj negociatash, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 21.
Synimi ynë është të mbyllim të gjithë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit 2026. Arritja e këtij objektivi do të tregonte se zgjerimi mund të jetë një histori suksesi, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet kandidate.
Përtej negociatave formale dhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, sa të përgatitura janë bizneset malazeze për anëtarësimin?
Anëtarësimi në BE nuk është thjesht çështje e mbylljes së kapitujve të negociatave. Ai kërkon ndryshime ligjore, forcimin e kapaciteteve administrative dhe përgatitjen e së gjithë shoqërisë për anëtarësim.
Ky proces nuk prek vetëm administratën publike, por edhe bizneset dhe qytetarët. Për këtë arsye, po i kushtojmë rëndësi të veçantë komunikimit me të dyja palët.
Po bashkëpunojmë ngushtë me Delegacionin e BE-së për t’u shpjeguar bizneseve mundësitë që do të krijojë anëtarësimi, por edhe sfidat me të cilat do të përballen.
Pas anëtarësimit, Mali i Zi do të bëhet pjesë e kufirit të jashtëm të Bashkimit Europian. Kjo nënkupton gjithashtu se nuk do të jetë më pjesë e CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore).
Për rrjedhojë, marrëdhëniet tona tregtare me vendet e tjera të rajonit do të ndryshojnë, veçanërisht sa u përket importeve dhe eksporteve.
Kjo ka rëndësi të veçantë për kompanitë malazeze që mbështeten në një masë të madhe te tregtia rajonale. Duhet t’i ndihmojmë të kuptojnë ndikimin e këtyre ndryshimeve dhe të identifikojnë mundësitë e reja.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Akademinë e Tregut të Vetëm (Single Market Academy) dhe po bashkëpunojmë me ekspertë që mund t’i ndihmojnë bizneset tona të përgatiten për të operuar në Tregun e Vetëm Europian.
Së bashku me Dhomën e Tregtisë dhe përfaqësuesit e biznesit, po organizojmë një sërë takimesh në bashkitë e Malit të Zi për të shpjeguar ndryshimet që do të sjellë anëtarësimi dhe për të identifikuar shqetësimet konkrete të kompanive.
Shumë nga standardet e nevojshme po përfshihen tashmë në kuadrin tonë rregullator gjatë procesit të negociatave. Këtu përfshihen legjislacioni, standardizimi, kërkesat fitosanitare, laboratorët përkatës dhe procedurat kufitare.
Ky është hapi i parë. Hapi i dytë është të sigurohemi që bizneset të jenë realisht të përgatitura për të ushtruar aktivitetin sipas këtyre kërkesave.
Besoj se Mali i Zi do të jetë plotësisht i përgatitur deri në vitin 2028, por kjo kërkon komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm për të gjitha sfidat që mbeten për t’u zgjidhur.
Standardet
Shumë nga standardet e nevojshme po përfshihen tashmë gjatë procesit të negociatave, përfshirë legjislacionin, standardizimin, kërkesat fitosanitare, laboratorët përkatës dhe procedurat kufitare. Ky është hapi i parë. Hapi i dytë është të sigurohemi që bizneset të jenë realisht të përgatitura për të ushtruar aktivitetin në përputhje me këto kërkesa.
A keni kryer vlerësime apo anketime për të përcaktuar se sa të përgatitura janë aktualisht bizneset për anëtarësimin në BE? Për krahasim, shumë kompani shqiptare janë të shqetësuara për kostot e investimeve që kërkon përmbushja e standardeve europiane, veçanërisht në kushtet aktuale ekonomike. A ka Mali i Zi ndonjë plan për t’u ofruar mbështetje financiare bizneseve?
Po investojmë në disa drejtime. I pari lidhet me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve. Vetëm pak ditë më parë, organizuam një konferencë investimesh në bashkëpunim me Komisionin Europian.
Gjithashtu, po e promovojmë në mënyrë aktive Malin e Zi në Bashkimin Europian, me synim tërheqjen e më shumë kompanive dhe investimeve europiane. Kjo është e rëndësishme edhe për bizneset vendase.
Drejtimi i dytë është investimi te punonjësit dhe tregu i punës. Kryeministri ka prezantuar masa për rritjen e pagave, të cilat synojnë gjithashtu t’i ndihmojnë bizneset të përballojnë mungesën e fuqisë punëtore dhe të forcojnë kapacitetet e tyre njerëzore.
Drejtimi i tretë dhe ndoshta më i rëndësishmi është përgatitja e projekteve. Po i ndihmojmë kompanitë të hartojnë projekte që do t’u mundësojnë të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Europian pas anëtarësimit të Malit të Zi. Kemi nisur tashmë të punojmë në këtë drejtim përmes programeve IPA dhe projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar.
Synimi ynë është t’u sigurojmë bizneseve mbështetje nga konsulentë të kualifikuar, në mënyrë që të përgatisin projektet e tyre. Paralelisht, po përgatisim projekte edhe në nivel kombëtar.
Aktualisht, qeveria nuk mund të ofrojë forma të caktuara të mbështetjes financiare të drejtpërdrejtë, për shkak të kufizimeve që burojnë nga rregullat e BE-së për konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, të përfshira në Kapitullin 8[1] të negociatave të anëtarësimit.
Megjithatë, mund t’i mbështesim bizneset në mënyra të tjera: duke i ndihmuar të hartojnë projekte cilësore, të ndjekin një qasje strategjike, të forcojnë kapacitetet e fuqisë punëtore dhe të krijojnë lidhje me kompanitë europiane dhe Komisionin Europian.
Përgatitja për të përfituar në të ardhmen nga fondet e kohezionit të BE-së ka rëndësi të veçantë.
A kanë nisur kompanitë të përgatiten në mënyrë të pavarur? A keni një vlerësim se sa të gatshme janë aktualisht për anëtarësimin në BE apo nëse do t’u nevojiten investime të konsiderueshme shtesë gjatë viteve të ardhshme?
Po, disa kompani kanë nisur tashmë të përgatiten në mënyrë të pavarur. Megjithatë, aktualisht jemi të përqendruar te faza e parë, që lidhet me informimin dhe komunikimin me bizneset.
Po organizojmë panele, debate të hapura dhe diskutime, sepse duam t’i dëgjojmë drejtpërdrejt shqetësimet e tyre. Në këto takime ftojmë edhe ekspertë nga Bashkimi Europian, të cilët japin përgjigje për çështje konkrete.
Një nga sfidat më të rëndësishme lidhet me turizmin, veçanërisht me përafrimin e politikës së vizave të Malit të Zi me kërkesat e BE-së[2].
Duhet të ulemi me përfaqësuesit e hoteleve, agjencive turistike dhe bizneseve të tjera të sektorit, për t’u shpjeguar se çfarë ndikimi do të kenë këto ndryshime në aktivitetin e tyre pas anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë, Mali i Zi duhet të hartojë një strategji për të rritur praninë dhe promovimin e tij në tregun europian.
Të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura. Ne duhet t’i mbështesim bizneset, por njëkohësisht të dëgjojmë me kujdes shqetësimet e tyre. Nuk do të thosha se bizneset tona janë plotësisht të përgatitura sot. Megjithatë, po punojmë hap pas hapi për të arritur këtë objektiv.
Faza e parë është komunikimi, identifikimi i pyetjeve dhe i sfidave me të cilat përballen bizneset. Më pas, do të punojmë për t’i zgjidhur ato një nga një.
Cilat do të jenë përfitimet kryesore për ekonominë e Malit të Zi pas anëtarësimit në Bashkimin Europian?
Hyrja në Tregun e Vetëm Europian përfaqëson një mundësi shumë të madhe për bizneset malazeze. Ajo do të krijojë mundësi edhe për rajonin në tërësi. Për shembull, afërsia gjeografike e Malit të Zi me Shqipërinë do t’u mundësojë kompanive të të dy vendeve të përfitojnë nga forcimi i lidhjeve ekonomike, pasi Mali i Zi të bëhet pjesë e Tregut të Vetëm.
Për Malin e Zi, anëtarësimi në BE pritet të krijojë mundësi të reja investimi. Këto investime mund të nxisin prodhimin vendas, veçanërisht në bujqësi, duke u mundësuar prodhuesve tanë të rrisin prodhimin dhe shitjet. Të gjitha këto zhvillime janë të ndërlidhura.
Jam e bindur se Tregu i Vetëm Europian do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm sepse do t’u mundësojë kompanive tona të zgjerohen në tregjet europiane, por edhe sepse do të nxisë lidhje më të forta mes bizneseve dhe investime brenda vetë Malit të Zi.
Tregu i Vetëm Europian
Jam e bindur se Tregu i Vetëm Europian do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm sepse do t’u mundësojë kompanive tona të zgjerohen në tregjet europiane, por edhe sepse do të nxisë lidhje më të forta mes bizneseve dhe investime brenda vetë Malit të Zi.
Si e shihni zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë rrugës drejt anëtarësimit në BE? Si mund të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe cilat do të ishin përfitimet nga krijimi i një tregu të përbashkët?
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor është një shembull shumë i mirë se si Komisioni Europian mund të nxisë bashkëpunimin rajonal përmes nismave konkrete. Ai na ka bërë bashkë për të punuar në disa projekte të rëndësishme.
Kemi bashkëpunuar në kuadër të CEFTA-s dhe nismës së Korridoreve të Gjelbra (Green Lanes). Tashmë po punojmë edhe për nismën ‘Roam Like at Home’, që synon eliminimin e tarifave shtesë të roaming-ut në komunikimet celulare.
Këto nisma u mundësojnë qytetarëve dhe bizneseve të përjetojnë disa nga përfitimet e integrimit europian edhe përpara se vendet e tyre të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.
Përfitime të tilla konkrete janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë rajonin. Ato tregojnë gjithashtu pse të gjitha vendet tona synojnë të bëhen pjesë e Tregut të Vetëm Europian. Ky treg ka rëndësi të madhe për bizneset dhe rritjen ekonomike, si për secilin vend më vete, ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Në fund të fundit, Mali i Zi dëshiron që i gjithë rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
——
[1] Kapitulli 8 – Politika e Konkurrencës: Përfshin rregullat e BE-së për konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, të cilat rregullojnë mbështetjen financiare që qeveritë mund t’u japin bizneseve, me qëllim shmangien e shtrembërimit të konkurrencës në treg. Ndihma shtetërore lejohet në kushte të caktuara.
[2] Përafrimi i politikës së vizave me BE-në: Në kuadër të procesit të anëtarësimit, Mali i Zi po përshtat regjimin e tij të vizave me rregullat e Bashkimit Europian, duke vendosur detyrimin për vizë për shtetasit e disa vendeve që më parë mund të hynin pa vizë. Këto ndryshime mund të ndikojnë në flukset turistike dhe të kërkojnë përshtatje nga bizneset e sektorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









