Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florjan Binaj dhe Dojna Mema

Shteti si mbulesë, privati si përfitues! Skema e milionave pas Albtrace & Co dhe monopolit të pullave fiskale!

22:25, 30/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pak javë më parë ju treguam skemën që ka nisur të aplikohet në masë nga ekzekutivi për të anashkaluar transparencën, llogaridhënien dhe shmangien e përgjegjësisë penale nga paracaktimi i fituesit të një kontrate. Modeli i gjetur është krijimi i kompanive publike të cilat kanë detyrim të respektojnë rregullat e prokurimit publik, por nuk kalojnë pagesat përmes thesarit të shtetit, ku jo vetëm duhet të zbatojnë ligjin e menaxhimit të sistemit buxhetor, por dhe të aplikojnë në bazë ditore çdo qindarkë se ku e kanëçuar.

Por ky është vetëm fillimi, sepse kompanitë shtetërore të krijuara për një shërbim publik të caktuar, themelojnë nënkompani tek të cilat zotërojnë më pas se 50% të aksioneve duke eleminuar kështu detyrimin për të iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik dhe auditimit nga Kontolli i Lartëi Shtetit. Sot do të ndalemi tek rasti i firmës me kapital të përbashkët shtetëror dhe privat, Albtrace & Co, e cila prej vitit 2025 ka të drejtat ekskluzive në prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale për gjithë mallrat e akcizës që tregtohen në vend.

Por si nisi historia e kësaj kompanie. Në vitin 2011, qeveria Berisha vendosi të jepte me koncension prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale për birrën, alkoolin, duhanin dhe barnat. Për këtë të fundit angazhimi nuk u përmbush ndonjëherë. Kontrata me kohëzgjatje 10 vite u kundërshtua nga opozita e atëhershme, Partia Socialiste. E cila premtoi se do të ishte një nga koncensionet që do të prishte nëse do të vinte në pushtet. Socialistët erdhën në pushtet dy vite më pas, por kontrata vijoi, madje u zgjat me 24 muaj të tjerë.

Madje u miratuan ndryshimet ligjore ku në ligjin për akcizat, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale u lanë monopol shtetëror. Por vitet kaluan pa ndryshuar asgjë, Këshilli i Ministrave autorizoi ndërmarrjen publike Shtypshkronja e Letrave me Vlerëpër të proshuar dhe shpërndarë pullat fiskale, por dhe për të marrë në dorëzim pajisjet e koncensionarit SICPA, sipas detyrimit që ky i fundit kishte në kontratë për ti transferuar në fund të periudhës koncensionare në pronësi të shtetit. Por cili ishte qëllimi i vërtetë?! Fare e thjeshtë duhej të vijohej të mbahej një koncension i fshehtë me një kompani private dhe publikut ti shitej sikur të ardhurat e faturimit të biznesit për pullat do ti merrte shteti.

Më datë 12 mars 2025, krijohet kompania Albtrace & Co, ku 51% të aksioneve janë në pronësi të Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë dhe 49% të tjera të kompanisë O & S Security Solution. Kjo e fundit rezulton të jetë themeluar në tetor të vitit 2023. Rreth një vit para se të bëhej ky bashkëoperim dhe si bazë ka Emiratet e Bashkuara Arabe. Tani le të shohim pak se kush është pas saj. Firma zotërohet në 60% nga Oumolat Security Printing dhe 40% nga SICPA, degë e shoqërisë SICPA në Zvicër, e cila kishte në zotërim më parë koncensionin e pullave fiskale. Skema është e qartë, nuk u bë asnjë kontratë koncensionare, por shërbimi iu kalua privatit, të njëjtit që ishte. Madje duke shkelur ligjin për Akcizat dhe atë për koncensionet dhe PPP-të.

Por çfarë ka për të thënë drejtori i Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë për këtë rast. Përballë mikrofonit të Piranjave, ai hesht duke mos thënë asnjë fjalë, sesi një kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe merr paratë e qytetarëve shqiptarë. Nuk dha asnjë përgjigje nëse kishte dijeni që kompania Albtrace & Co kontrakton pullat fiskale tek aksioneri O & S Security Solution pa hapur garë dhe përse e ka lejuar diçka të tillë. Për më shumë ndiqni investigimin e plotë të Piranjave./Piranjat

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco