
Një drejtues i mafias turke u ekzekutua të enjten në shtratin e spitalit nga një person i paidentifikuar në Tarragona të Spanjës, vetëm pak ditë pasi ishte zënë në pritë dhe ishte qëlluar disa herë me armë zjarri, raportuan mediat lokale.
Policia katalanase, Mossos d’Esquadra, nisi menjëherë një hetim, i cili vijon ende, për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se bëhet fjalë për një “larje hesapesh” mes bandave turke.
Mekin Büyükdeniz, 35 vjeç, përshkruhet si drejtuesi i mundshëm i organizatës kriminale 10 Kardeşler (“Dhjetë Vëllezërit”), me bazë në Stamboll. Ai qëndronte i shtruar në Spitalin Universitar Joan XXIII në Tarragona, pasi kishte mbetur i plagosur rëndë më 16 tetor.
Sipas raportimit të El Mundo, atë ditë, një person i paidentifikuar, i cili ndodhej në një automjet që po afrohej me shpejtësi, hapi zjarr ndaj Büyükdeniz teksa ai po ecte në qytetin bregdetar të Salou, në afërsi të Tarragona-s. Si pasojë, ai mori më shumë se një duzinë plagësh nga armët e zjarrit. Pavarësisht rëndësisë së plagëve, Büyükdeniz arriti t’i mbijetonte sulmit.
Të enjten, një person i paidentifikuar, i cili kishte fshehur identitetin me kapuç dhe helmetë biçiklete, hyri në repartin e traumës së spitalit dhe qëlloi ndaj Büyükdeniz, duke e goditur të paktën tri herë dhe duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Në momentin e sulmit, drejtuesi i mafias ndodhej në një dhomë së bashku me partneren e tij, shkruan Breitbart.
Sipas mediave spanjolle, Büyükdeniz ishte transferuar së fundmi nga Reparti i Kujdesit Intensiv (ICU) në një kat më të sipërm të spitalit. Gjatë qëndrimit në ICU, ai ishte mbajtur nën masa të rrepta sigurie, por këto masa dyshohet se ishin lehtësuar pas transferimit të tij në katin e sipërm.
Ok Diario publikoi pamje nga kamerat e sigurisë së spitalit, ku shihet personi duke ecur nëpër korridoret e institucionit. Pamjet tregojnë gjithashtu autorin e sulmit duke u larguar nga spitali me një skuter. Sipas medias, personi i paidentifikuar nuk kishte hyrë nga hyrja kryesore e spitalit, pasi ajo ishte e mbyllur në atë moment. Në një çast, ai “kuptoi” se po filmohej nga një kamera dhe, sipas raportimit, fshehu fytyrën ndërsa vijoi të ecte më tej brenda godinës.
Olga Pané, ministrja e Shëndetësisë në qeverinë rajonale të Katalonjës, thuhet se konfirmoi se në momentin e ngjarjes ndodheshin dy punonjës sigurie brenda spitalit. Megjithatë, ata po “merreshin me një tjetër incident kritik”, për të cilin, sipas Ok Diario, ende nuk është përcaktuar nëse kishte ndonjë lidhje me vrasjen e drejtuesit të mafias turke.
Sipas raportimeve, personi i paidentifikuar u largua nga spitali përmes një dere hyrëse që përdoret për nxjerrjen e mbeturinave.
Në momentin e publikimit të lajmit, autoritetet lokale nuk e kishin përjashtuar mundësinë që autori i sulmit të ishte larguar tashmë nga Spanja.
Mediat spanjolle dhe ato turke raportuan se banda mafioze “Dhjetë Vëllezërit” akuzohet për një sërë veprimtarish kriminale, përfshirë trafikun e drogës dhe armëve, vrasjet dhe zhvatjen, mes të tjerash.
El Español, duke iu referuar burimeve policore anonime, raportoi se drejtuesi i vrarë i mafias nuk kishte dashur të paraqiste kallëzim pas pritës së 16 tetorit dhe se “nuk kishte qenë veçanërisht bashkëpunues” me hetuesit.
Sipas gazetës turke Sözcü, Büyükdeniz u kishte thënë personelit shëndetësor dhe efektivëve të policisë se “besonte që armiqtë e tij do ta vrisnin sapo t’u jepej mundësia”.
Efektivët e policisë katalanase kanë konstatuar një rritje shqetësuese të aktivitetit të mafias turke në këtë rajon të Spanjës gjatë dy viteve të fundit.
Mediat lokale theksuan se hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse vrasja e Büyükdeniz ishte një “larje hesapesh”, e lidhur me një seri aktivitetesh kriminale që çuan në arrestimin, në muajin mars, të 21 anëtarëve të mafias turke, të përfshirë në trafikun e drogës dhe armëve.
Nga 21 të arrestuarit, 14 u ndaluan në Katalonjë, katër në Andaluzi dhe tre në Sofje të Bullgarisë.