
I lidhur me zinxhirë, i zhytur me kokë poshtë në një rezervuar të mbushur me ujë dhe në një lojë të rrezikshme me vdekjen, Harry Houdini u rikthye në skenë të premten në Budapest, ku një shfaqje e re cirku nderoi artistin legjendar të arratisjeve, një shekull pas vdekjes së tij.
Cirku i Budapestit prezantoi premierën e një shfaqjeje të frymëzuar nga numrat më të famshëm të Houdinit, duke rikrijuar disa prej arratisjeve të guximshme që mahnitën publikun dhe e ndihmuan atë të bëhej një nga yjet e parë botërorë të industrisë së argëtimit, shkruan Reuters.
I lindur me emrin Erik Weisz në vitin 1874, në një familje hebreje hungareze, Houdini emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku u bë i njohur për aftësinë e tij për t’u çliruar nga bravat, zinxhirët dhe kurthet që dukeshin të pamundura për t’u kapërcyer.
Prodhimi artistik në Budapest nuk është një rrëfim biografik i jetës së tij, por, sipas faqes zyrtare të cirkut, “një udhëtim përmes kufijve mes jetës dhe vdekjes, kujtesës dhe lënies pas, si dhe vetë natyrës së kohës”.

Shfaqja e përfytyron Houdinin të pezulluar mes jetës dhe vdekjes, ndërsa bashkëshortja e tij i lutet Persefonës, mbretëreshës së botës së nëndheshme në mitologjinë greke, që ta rikthejë atë.
“Dikush që realizon numra arratisjeje luan gjithmonë me vdekjen. Ai shkon vazhdimisht në anën tjetër”, tha për Reuters regjisori i shfaqjes, Laszlo Magacs.
Shfaqja ndërthur teatrin, kërcimin dhe akrobacitë, duke përfshirë edhe rikrijimin e numrit të famshëm të Houdinit me rezervuarin e ujit, në vitin 1912. Në atë numër, ai ulej me kokë poshtë në një rezervuar, me këmbët të kyçura në pranga.
“Unë mendoj se Houdini ishte influencuesi i parë në botë. Ai ishte thjesht një gjeni në mënyrën se si i shiste numrat e tij dhe se si reklamonte veten”, tha Magacs.