Ka nisur programi qendror garues i edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, që sivjet vjen si “Akordet e Kosovës”.
Në nisje, Teuta Kurti dhe Florent Abrashi kanë rikthyer nostalgjinë e periudhës së “Akordeve..” nëpërmjet një kolazhi këngësh të asaj kohe.
E programi garues u nis me këngën “Përjetësisht”, të Besmir Shishkos. Pasuan projektet nga Shpend Lleshi me “Vala”, Verona Kastrati me këngën “Flakë” e Sajana Kodheli me këngën “E lirë”, sipas renditjes.

Troja Bicurri me “Mali dhe Hana”, duke interpretuar me kitarë në skenë ka sjellë rrëfimin poetik të saj nëpërmjet këngës së shkruar nga vetë ajo.
Zhanër krejt tjetër ka sjellë grupi “Hawolf” që ka sjellë në skenë këngën “Ti si unë” në frymë të rokut.
Mysafire në skenë ka qenë Jonida Maliqi. Ka kënduar këngën “Thesar pa emër”, dedikim për djalin e saj e më pas edhe këngën “Ktheju tokës” me të cilën e ka përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision”.
“I rikthehem kësaj skene pas 15 vjetësh. I mungonte Kosovës ky festival dhe jam e lumtur që në këtë edicion të katërt jam pjesë e tij”, ka thënë ajo.
Sidorela Kelmendi-Gashi, e cila me “Duje” nga Albina dhe Familja Kelmendi, patën prezantuar Shqipërinë në Eurovision, ka sjellë në skenën e “Akordeve...” baladën e fuqishme “Vetëm kam mbetur”.
Rinea Vitija ka interpretuar këngën “Histori” e më pas Arbër Krasniqi ka interpretuar rok-baladën “Vjeshtë”, si pjesë e konkurrimit të edicionit të katërt të festivalit.
Radha e interpretimeve në programin e natës së parë të “Akordeve...” të rikthyera pas gati tri dekadash ndërprerje, vazhdoi me Algert Salën dhe Jet qe kanë sjellë këngën “Gati tu”, duke hapur paraqitjen e tyre në programin qendror garues, Dea Pasha e cila është ngjitur në skenë me këngën “Sërish”, Miranda Lipovica këngën “Pranvera”, Niki Selmanaj me “E lirë”, Rei Bezhani dhe Martina Serreqi me “2011” në duet, Urim Salihu me “I njëjti”, Khuba me “Larg”, Olimpia Smajlaj me “Amanet”, Fatbardha Nikçi me “Hajde mor i bukur” dhe Art Lokaj me “Pa ngjyra”.
Artistë të rinj dhe interpretime të zhanreve e stileve të ndryshme muzikore pritet të shfaqen në skenë për tri net. Përmes këngëve origjinale, garuesit do të prezantojnë krijimtarinë e tyre para publikut dhe jurisë, në një konkurrim që synon të promovojë emra të rinj të muzikës.
Posta nderon trashëgiminë e “Akordeve të Kosovës” me pullë postare në hapje të Festivalit
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës ka emetuar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar festivalit “Akordet e Kosovës”. Tashmë festivali dikur me traditë të gjatë që është kthyer si emri i Festivalit të Këngës në RTK është nderuar për trashëgiminë nga Posta e Kosovës.
“Pulla postare u promovua sonte, në natën e parë të festivalit, në praninë e një numri të madh artistësh, mysafirësh dhe spektatorësh, si dhe të teleshikuesve të RTK-së përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, duke shënuar një dedikim të veçantë të Postës së Kosovës për jetën muzikore dhe artistike të vendit”, shkruhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Emisioni filatelik përfshin pullën postare dhe zarfin e Ditës së Parë, përmes të cilit Posta e Kosovës nderon rikthimin e festivalit “Akordet e Kosovës”, duke sjellë përtej kufijve historinë, identitetin dhe trashëgiminë muzikore e kulturore të Republikës së Kosovës.
“Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që ta blejnë këtë pullë të bukur postare, duke e bërë pjesë të koleksioneve të tyre dhe duke kontribuuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave artistike e kulturore të vendit”, shkruhet në njoftim. Të premten mbrëma ka nisur programi qendror garues i edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, që sivjet vjen si “Akordet e Kosovës”.