Protestuesit vendosin tendë para Qeverisë
Protestuesit kanë vendosur një tendë para objektit të Qeverisë të premten, në ditën e tretë të protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Gjumi s’ka me ju marrë. Flaka ka me ju dalë”, shkruan në pankartën mbi të.
Qytetarë po protestojnë gjithandej Kosovës në kërkim të përgjegjësisë për rastin e Zekajt. Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes qe ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.
Deri tash janë suspenduar kryeprokurorja e Pejës dhe një prokurore, por edhe 11 zyrtarë policorë. Është dorëhequr drejtori i Policisë e protestuesit po kërkojnë përgjegjësi edhe nga gjyqësori, por edhe nga ekzekutivi. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm.


Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrave e shkarkime edhe në gjyqësor
Dorëheqje të ministrave e shkarkime edhe në gjyqësor, kanë kërkuar protestuesit në Prishtinë në ditën e tretë të protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës të dielën.
Në protestë, qytetarët para dyerve të institucioneve kanë kërkuar dorëheqjet e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Të dy gjatë një konference për media kanë konfirmuar se nuk do të dorëhiqen.
Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar te Ministria e Drejtësisë, KGJK-ja e në fund edhe Qeveria.
“Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Amaneti i Arlindës ka me ju nxanë”, janë disa prej pankartave që mbajnë protestuesit.
Gjatë ditës së sotme, dorëheqje dha drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Po ashtu sot u protestua edhe në Pejë.
Arlinda Zekaj u vra nga ish-kunati me sëpatë. Ajo i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.
Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 policë në Pejë janë suspenduar për këtë rast.




“Shteti i ka duart me gjak”, protestohet edhe në Mitrovicë
Edhe qytetarë të Mitrovicës po protestojnë të premten duke kërkuar drejtësi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, të cilën dyshohet se e kreu ish-kunati i saj, Albert Sylaj i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.
“Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” i shkruar në baner ishte mesazhi kryesor i tyre.
Ata protestuan nga sheshi i qytetit te Stacioni Policor në Mitrovicë e më pas edhe te Gjykata Themelore.
Po ashtu, protestuesit u mblodhën edhe para Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë dhe në objekt u shkrua: “shteti i ka duart me gjak”.
“Gjumi s’ka me ju marrë” – protestë në Pejë pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Sot në Pejë është protestuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të kësaj komune me 25 tetor.
Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për vrasjen të cilën dyshohet se e kreu ish-kunati i Zekajt, Albert Sylaj i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.
Pjesëmarrës në protestë kanë qenë edhe familjarë të Arlinda Zekajt.
Marshi ka filluar nga Komuna e Pejës, ka vazhduar te Qendra për Punë Sociale, te Policia dhe Gjykata e ka përfunduar të Prokuroria.
Protestuesit kanë hedhur tymuese, vezë e kanë brohoritur “Edhe sa gra të vrara” para Prokurorisë në Pejë.
Njëra prej organizatoreve të protestës ka thënë se të gjitha institucionet kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës.
“Ne sot si qytetarë e bashkëqytetarë të Arlindës kemi ardhur te secili institucion për të kërkuar drejtësi”, është shprehur ajo.





Protesta janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Mitrovicë nga ora 13:00 si dhe në Prishtinë nga ora 16:00.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.
VIDEO: