Një influencer amerikan ka përjetuar një surprizë të hidhur gjatë pushimeve në Japoni, pasi ndjekësit e tij në internet i shkaktuan një faturë restoranti prej rreth 12 mijë dollarësh, duke porositur ushqime pa dijeninë e tij.
Lacy, emri i vërtetë i të cilit është Nicholas Fosco, 23 vjeç, ndodhej në një restorant së bashku me partneren e tij, influencuesen e TikTok-ut, Darla Claire, 21 vjeçe, ndërsa transmetonte drejtpërdrejt në platformën Twitch.
Gjatë transmetimit, ai shfaqi pa dashje kodin QR të tavolinës, i cili përdorej për porositë. Ndjekësit e kapën menjëherë këtë mundësi dhe nisën të porosisnin nga distanca, duke ia ngarkuar të gjitha shpenzimet influencuesit.
Situata doli jashtë kontrollit kur kamerieri mbërriti me faturat. Fillimisht, Lacy mendoi se duhej të paguante vetëm 500 mijë jen, por më pas iu dorëzuan edhe dy fatura të tjera. Shuma përfundimtare arriti në rreth 1.6 milionë jen.
I tronditur, 23-vjeçari tregoi se nuk kishte parë kurrë diçka të ngjashme dhe se ishte jashtëzakonisht i mërzitur nga veprimi i ndjekësve. Megjithatë, ai vendosi të paguante faturën dhe të mos lejonte që ushqimi të përfundonte në mbeturina. Me kërkesën e tij, personeli i restorantit ua shpërndau pjatat familjeve të pranishme.