
Studentët do të zhvillojnë sot protestën kombëtare, pas tre javësh tubimesh dhe reagimesh kundër qeverisë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nën sloganin “Pa dorëheqje nuk ndalemi”, të rinjtë kanë bërë thirrje për t’u mbledhur në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit.
Në mbështetje të protestës pritet të bashkohen edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu përgjigjur thirrjes së studentëve. Gjithashtu, në tubim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, në shenjë solidariteti me lëvizjen studentore.
Përveç largimit të kryeministrit Edi Rama, studentët kanë kërkuar edhe largimin e klasës aktuale politike, duke bërë thirrje për një frymë të re në vend.
Pas tre javësh protestash, të rinjtë vijojnë të këmbëngulin se nuk do të tërhiqen pa plotësimin e kërkesave të tyre. Tubimi i sotëm pritet të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm për protestën studentore.