Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje protestuesve për dialog, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme. Edhe këtë të shtunë, ai ka vendosur sofrën e gurtë para godinës së Kryeministrisë, mbi të cilën ka vendosur disa letra me mbishkrimin “dialog”.
“Mirëmëngjes”, shkruan Rama në videon e publikuar, përmes së cilës përsërit ftesën për bisedime dhe për të dëgjuar shqetësimet e protestuesve.
Kreu i qeverisë ka bërë dallimin mes akteve të dhunës gjatë protestave, për të cilat pretendon se qëndrojnë forca të huaja, dhe studentëve apo qytetarëve që mund të kenë shqetësime konkrete që duhen dëgjuar.
Për të frenuar dhunën gjatë tubimeve, qeveria ka paraqitur një nismë që synon ashpërsimin e masave, gjobave dhe dënimeve për protestuesit e dhunshëm, si dhe për ata që i mbështesin.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, intensiteti i tubimeve dhe pjesëmarrja e qytetarëve në protestë kanë rënë ndjeshëm, ndërsa në bulevard është vënë re prania e një grupi të vogël njerëzish.


