SHBA-ja miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, të cilat konsiderohen të domosdoshme për mbrojtjen e vendit nga sulmet ajrore gjithnjë e më të intensifikuara të Rusisë.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se dorëzimi i këtyre raketave mund të zgjasë “disa vite”, shkruan BBC, transmeton Dukagjinin.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se bëhet fjalë për raketat përgjuese të avancuara PAC-3, me vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh. Sipas njoftimit, blerja do të financohet tërësisht nga aleatët e Ukrainës në Evropë dhe Kanada.

Të premten në mbrëmje, Zelensky përsëriti thirrjet drejtuar SHBA-së që të përshpejtojë dërgimin e sistemeve Patriot, të cilat janë ndër armët e vetme efektive për rrëzimin e raketave balistike ruse.

Ky vendim vjen pas përplasjeve mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të këtij muaji, pasi SHBA-ja lehtësoi sanksionet ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje për sigurimin e naftës dizel ruse.

Trump kishte deklaruar se ishte koha që Ukraina të kishte një udhëheqës të ri, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje për përfundimin e luftës me Rusinë. Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, pasi më herët kishte aneksuar Krimenë dhe kishte marrë nën kontroll pjesë të Donbasit në lindje të Ukrainës.

Tensionet mes palëve u zbutën pas takimit të Zelenskyt me të dërguarit amerikanë në Oslo, më 20 tetor.

Në deklaratën e së premtes, Departamenti amerikan i Shtetit tha se shitja e propozuar do të kontribuojë në objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke forcuar sigurinë e një vendi partner që përbën faktor të stabilitetit politik dhe ekonomik në Evropë.

Sipas njoftimit, Ukraina do ta financojë blerjen përmes donacioneve nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, përmes programit JUMPSTART, si dhe fondeve kombëtare të financuara nga kredia e Bashkimit Evropian për mbështetjen e Ukrainës.

Kontraktori kryesor për këtë marrëveshje do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, ndërsa Departamenti i Shtetit ka theksuar se në këtë shitje nuk do të përfshihen fonde amerikane.

Ndërkohë, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-s, diplomatët evropianë kanë protestuar ndaj pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke refuzuar të qëndrojnë në fotografinë zyrtare.

Takimi po mbahet në Atlanta dhe organizohet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“Dua t’ia them drejtpërdrejt ministrit të Jashtëm rus: Të gjithë e dimë se kush është agresori në këtë luftë”, i ka thënë Lavrovit në takim sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, duke akuzuar qeverinë ruse për vrasjen e civilëve të pafajshëm në Ukrainë.

Më herët gjatë kësaj jave, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina po priste prej gati një muaji miratimin amerikan për furnizimin me raketa, pasi rezervat e saj të këtyre municioneve ishin duke u pakësuar ndjeshëm.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika