
Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)
Librin “Historitë e çmendura të Tiranës” të Ben Blushit e lexova në dorëshkrim. Si i pari në radhë, e kam privilegjin të shprehem para të tjerëve. I shkruar me një frymë, nga janari në qershor të këtij viti, falë një akumulimi të gjatë, të lë përshtjen e një libri të nxituar, por në fakt është një libër i frymëzuar.
Njëherësh, përfshirja në të e 400 viteve të kryeqytetit të bën kurioz të dish se si ia ka dalë autori të mbajë gjallë interesin e lexuesit, pa e përrallisur atë me historira të tipit “Një mijë e një net” apo me legjenda urbane të stisura. Që historitë të mos duken të largëta, autori ka zgjedhur të shkruajë për figura historike të njohura dhe për personazhe që i ndesh për herë të parë, të cilët, të marrë së bashku, mund të jenë larg në kohë nga njëri-tjetri, me shekuj a dekada, por që të gjithë të duken si banorë të së tashmes. Ata ngjajnë dhe alternohen mes tyre, pavarësisht dekorit e veshjeve, ku hamami ka ndërruar vend me tualetin apo kalaja me kullat.
Libri nis me Sulejman Pashë Bargjinin dhe mbyllet me Leka Zogun, të shtrirë në një hark kohor prej më shumë se katër shekujsh, por ty të duket sikur këta të jenë takuar te Ura e Tabakëve apo te Xhamia e Et’hem Beut, aty ku Ahmet Zogu kaloi natën e fundit para se të largohej, i frikësuar se mos italianët i bombardonin pallatin.
“Kështu, një katundar i vogël nga Mulleti u bë Sulejman Pashë Bargjini, me shpejtësinë e një fshatari që sot bëhet ministër.” Merr nga dhitë dhe bëj zabit.
Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fillesa e kryeqytetit: “Pashai i Tiranës donte një tokë të virgjër, ku nuk ishte bërë asnjë therje, asnjë vrasje, asnjë zhvirgjërim, asnjë martesë, asnjë tradhti, asnjë pusi, pra, të cilën nuk e kishte bërë pis asnjeri.”
Kështu në vitin 1600 dhe në vitin 2000: “Ardhja e Lekës në Tiranë nuk ishte një projekt personal, por investimi disavjeçar i një varreze sundimtarësh, duke marrë me vete sëndukun katërqindvjeçar të intrigave”. Kur u kthye familja mbretërore, solli me vete edhe tonelata me shkresa.
Para pasqyrës së një “toke të virgjër” shohin veten të gjithë mëkatarët që e kanë bërë pis këtë vend, sikurse po ndodh edhe aktualisht. Ndaj “Historitë e çmendura të Tiranës” janë të mbushura me vrasje, idile jaranësh dhe erotika me pasionantë të çartur, heronj të krisur, pabesi e pusira, ku vazhdimisht duhet të pastrohet nga ndyrësitë e radhës, të distancohet nga mbetjet e së shkuarës, ku mëkatarët pudrosen me një katarsis, si autokritikat e kohës së komunizmit.
Themeluesi i Tiranës ngjan me një lloj profeti, “i cili kërkon që e ardhmja të mos ketë të shkuar”, por ja që e shkuara u rri nëpër këmbë, duke u bërë edhe objekt i këtij libri. Për bejlerë me tesera partie dhe për pashallarë të kuq shkruante Kadareja, sikurse liderët e sotëm i komplimentojnë për kollaj: “O mbret”?!
“Tirana nuk ishte veçse një pyll i egër që zbonte njerëzit e mirë me ndihmën e kafshëve të egra”, ironizon autori dhe një i mënjanuar si unë bie plotësisht dakord me këtë konstatim. I zbojnë ata që u kërkohet të ikin.
Dy partitë e para, ajo e tiranasve, e Bargjinëve vetëm me vajza, dhe ajo e krutanëve apo e Toptanëve me djem, bënë që konfliktet të zgjidheshin me lidhje martesore.
“Esat Pasha nuk donte të bëhej as kryetar bashkie i Tiranës për të dhënë leje ndërtimi. Ai donte të bëhej mbret. Në të vërtetë, ai ndihej mbret”, ndërsa: “Ahmet Zogu kishte lindur si ushtar, jetonte si gjeneral, drejtonte si marshall, por ëndërronte si mbret.”
Që të gjithë duan të zhvishen nga “rrobat e robërisë” dhe të veshin mantelet e dikurshme të princave, kontëve dhe mbretërve, por askush nuk e duron kurorën te tjetri. Ndaj, me kollajllëk, për të shpëtuar prej demonëve të pushtetit, ia dhuruan perandorit italian.
Thuhej se Njazi Dede qe dëbuar nga Turqia, ngaqë nuk i kishte treguar qeverisë turke sekretin e ashures. Ëndërronte që një ditë bektashinjtë të kishin shtetin e tyre. Njaziu nuk shikonte ëndrra dhe prej disa vitesh vuante nga pagjumësia. Jo të gjithë vizitorët kishin aftësinë ta vinin gjyshin në gjumë.
Në fund u shquan për gjumëvënie “librashitësi i pashpirt Dhimitër Canco, që falimentoi Mit’hat Frashërin, dhe një shok i tij me emrin Enver Hoxha, që shiste cigare”. I njohur si shakaxhi, Canco ftoi në garë Hoxhën me Frashërin se kush do ta lexonte një libër të Karl Marksit brenda një nate.
“Enveri pranoi dhe, meqë e humbi bastin, u bë komunist, kurse Mit’hat Frashëri, që mbeti pa punë, u bë ballist.”
Mjeshtri i hipnozës për të vënë në gjumë shpallet Enver Hoxha, aftësi që do ta ushtrojë gjatë gjithë kohës së sundimit të tij me trushpëlarje. Autori ka fobi nga telefonat, për shkak të një historie adoleshentësh, të cilëve u kishte rënë në dorë numri sekret i telefonit të diktatorit. I bien numrit dhe udhëheqësi zgjohet, duke lënë pagjumë hafijet për të zbuluar autorët. Kush zgjonte nga gjumi Enver Hoxhën, përfundonte në burg.
Përkundër martesës së vajzave të pashait të Tiranës me djemtë e beut të Krujës, autori, duke mos hequr dorë nga ngasjet, shkruan: “Martesa e sforcuar e qytetit me partinë e uritur të konviktorëve, që u themelua në një mensë, krijoi një specie të re që askund nuk u rrit më shpejt se në Tiranë: kioskat.”
Fjalën “kioskë” për herë të parë e kam hasur te poema e Kadaresë “Vitet ’60”, ku përmenden kioskat ku shiteshin gazetat.
“Tirana u ndriçua për herë të parë nga një spiun amerikan që vuante nga malarja. As austriakët dhe as italianët, që e kishin pushtuar qytetin me inxhinierë, nuk ndezën dot një poç përpara këtij burri që dridhej nga ethet, kur dritat u hapën në sallën e parlamentit në pranverën e vitit 1922.”
I pari vend që u ndriçua nga drita elektrike ishte bulevardi i Bufalos, falë Teslës. Kam bërë foto në këtë bulevard. Jo larg prej aty vdiq Mustafa Kruja.
“I krahasuar me ambasadorët e veckël të ditëve tona, që nga lozhat e parlamentit u tregojnë deputetëve si të votojnë, Harry Fultz ngjan si një perëndi që ka në dorë burimin e dritës. Sa herë i shkonin punët mirë, qyteti ndriçohej, por kur ishte i mërzitur nga vendimet e deputetëve, Tirana zhytej në errësirë.”
S’kam pse ta shpjegoj ironinë e tij, se thumbi i saj del si gozhda që çan dërrasën.
Në libër ka shumë figura interesante, por unë po ndalem në njërën prej tyre, meqë tek ai gjen sa pushtetarin, aq edhe shkrimtarin.
“Pjesa më e madhe e jetës së Haki Stërmillit është fshirë nga vetë ai, duke përdorur tri djallëzitë e shkrimtarit: vullnetin, talentin dhe frikën. Ditarët i ngjajnë një ore ku mungon koha kur ai punonte për Ahmet Zogun dhe motrat e tij llafazane… Haki Stërmilli u bë papritmas shefi i djajve, të cilët kishin vetëm një punë: të kapnin sa më shumë engjëj.”
Asnjë shkrimtar nuk ka ditur më shumë sekrete se ai në historinë e botës. Ceni i çdo njeriu u bë pronë e Haki Stërmillit; çdo huq, çdo ves, çdo gabim, çdo tradhti, çdo fobi, çdo mani futej në dosje të vogla që lidheshin me fjongo të kuqe para se t’i çoheshin Zogut dhuratë.
Haki Stërmilli, nga mësues privat dhe kryehafije, dënohet me pesë vite burg si komplotist, duke mos pasur ndonjë fat tjetër nga ata që dënoi Enver Hoxha. Për burgimin e tij protestuan personalitete nga bota. I humbur, i shkundur dhe i përkulur, shkeli edhe mbi dinjitetin e tij.
“Sa herë Zogu kishte ditëlindjen, mbi tavolinë gjente një letër nga Haki Stërmilli, ku poshtë gjuhës së ëmbël të urimit fshihej lëpirja e mëshirës.”
Shkrimtari u lirua kur pranoi se ai që e kishte burgosur ishte një gjeni. Hap një dyqan për shitje llambash dhe shkruan një poezi për Princ Lekën. Boton një libër për dashurinë, që i riktheu nderin e humbur. Kur ecte në bulevard, njerëzit mbanin radhë për ta takuar, gratë flisnin për elegancën e tij, makinat u binin borive prej gëzimit, lustraxhinjtë ia lustronin këpucët falas, kurse në festat mondane prania e tij shkaktonte turbullim.
Shkrimtarët që përshkruanin malet dhe fushat kuptuan se dashuria shet. Në pak muaj romani ribotohet dymbëdhjetë herë. Shkëlqimi dhe rënia, apo anasjelltas, i shoqërojnë të gjitha figurat tona historike.
Në një qytet të vogël ka një problem të madh: “Fyerjet që ndodhin aty kthehen në plagë të pashërueshme”.
Nëse Marko von Toptani i merrte dashnoren dikujt pasi e kishte rrahur, i habiti të gjithë kur deklaroi se ishte bërë kapiten i ushtrisë gjermane. “Kjo është hakmarrja e një narcisti që u bë nazist për t’u veshur bukur.”
Në kontrast me të, anarkisti Teodor Keko, i dehur nga revolucioni që nuk po vinte, kur të gjithë pretendonin të ishin të mëdhenj, zgjedh të quhej Dori i Vogël.
Perandori Viktor Emanueli III kishte fjetur në hotelin ku Vasil Laçi punonte si pastrues dhomash dhe “kur kishte ndier erën e një palë çorapeve të palara, i kishte ardhur ndot dhe kishte vendosur ta vriste. Ndoshta në historinë e botës asnjë perandor nuk është vrarë për një arsye më të dobët, por pjatalarësi i shkretë ishte nisur edhe nga një motiv patriotik. Ai nuk mund të pranonte që perandori i vendit të vet të ishte aq i pistë.”
Multimilioneri aventurier de Kay, që kishte rrëzuar një qeveri për një ton salçiçe dhe që kishte mbuluar me flori aktoren më të shthurur të botës, vendos të jetojë në Tiranë, duke blerë shtetin.
“Jo se ky qytet nuk kishte mashtrues sa të duash, por se mashtrimi që erdhi pas një gëzimi nuk gëlltitej kollaj.” Për të njohur një personazh kaq interesant, duhet lexuar libri.
“Sa kollaj kthehet buka e së vërtetës në një fërgesë me gënjeshtra, nga yndyrat e së cilës stomaku vjell lloj-lloj shpifjesh që nuk duhen besuar”, shkruan autori, si për të shtuar arsyet pse dëbohen njerëzit e mirë dhe pse ka kaq shumë aventurierë.
“Për shkak të librave që u shpërndan falas, duke mbushur bibliotekat shtëpiake, popujt ende dridhen nga tiranët. Dhe kanë të drejtë, megjithëse i besojnë një gënjeshtre. Për fat të keq, popujt që u kanë prerë kokën aq shumë tiranëve, të shtyrë nga mashtrimet e filozofëve grekë, nuk i njohin historitë e çmendura të Tiranës, këtij qyteti kurajoz që nuk ka frikë fare nga tiranët, të cilët e drejtojnë akoma.”
Me sa duket, ngaqë s’i kanë frikë, i mbajnë gjatë.
“Pa dinakërinë e grave, Tirana mund të mos ishte sot dhe ne mund të ishim qytetarë të Krujës ose, ku i dihet, edhe të Kavajës, e cila e ka dimrin pak më të butë”, shkruan ai, duke i dhënë të drejtë Kimete Berishës, kur shkruan: “Shqiptarët kurrë nuk e kanë pushtuar askënd, përveç grave të veta.”
Në tablonë e një kryeqyteti: “Thashethemet janë të egra, të vrazhda, lënduese dhe ai që i shpik nuk ka nevojë për prova. Madje, kur nuk ka prova, thashethemi bën edhe më shumë dëm. Duke qenë fryt i mllefit të burrave, thashethemet krijohen nëpër mejhane, prandaj janë më shumë mashkullore. Kurse gossipi, që nuk mban erën e mishit e të rakisë, i ngjan një shisheje me parfum që, pasi hapet, lëshon një aromë të lehtë që t’i shpon hundët në një mënyrë të këndshme. Ai nuk vret, por zbavit… Në shqip fjala gossip do të përkthehej si çuçurimë, pra si një çu-çu-çu lozonjare që del nga goja e një gruaje, hyn në veshin e një zonje dhe prej aty, duke lundruar mbi varkat e vathëve, futet në qindra veshë të tjerë.”
Si thashethemeve të burrave, ashtu edhe gossipit të grave, nuk i ka shpëtuar asnjë shkrimtar me emër.
“Për fat të keq, si të gjithë popujt kokulur dhe punëtorë, ilirët kishin një problem të vogël: nuk dinin të shisnin.”
Në marketingun që Ben Blushi po u bën librave të tij, duket se këtë të metë po e ndreq. Prite kur të më thonë: një aftësi kjo që ua ka huazuar çifutëve.
“Unë jam rritur nëpër radhë. Nuk mbaj mend kur jam zgjuar për herë të parë në orën katër të mëngjesit për të blerë një shishe qumësht, të cilin nuk e kam pirë asnjëherë.”
Është bukur kur sheh që lexuesit e tu mbajnë radhë për të blerë librin. Gjë që ia urojmë autorit.
