Franca përgatitet për protesta të reja, qeveria paralajmëron reagim të ashpër

Franca do të angazhojë rreth 70 mijë pjesëtarë të forcave policore për të mbajtur nën kontroll protestat e paralajmëruara për këtë të shtunë, të cilat pritet të zhvillohen në mbarë vendin për shkak të pakënaqësisë me koston e jetesës, shërbimet publike dhe qeverinë e presidentit Emmanuel Macron.

Demonstratat kombëtare, që përkojnë me festën e Halloween-it, mbahen dy javë pas trazirave dhe plaçkitjeve që zunë në befasi forcat e sigurisë, duke lënë pas dyqane, ndërtesa publike dhe biznese të dëmtuara në disa qytete të Francës.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka premtuar se autoritetet nuk do të lejojnë përsëritjen e skenave të tilla.

“Gjithçka është mobilizuar për të garantuar një reagim jashtëzakonisht të vendosur ndaj çdo incidenti”, deklaroi Nunez në një konferencë për media gjatë kësaj jave, teksa prezantoi masat e sigurisë për protestat, të cilat i cilësoi si një ditë me “rrezik shumë të lartë” për trazira.

Autoritetet janë gjithashtu të shqetësuara se protestuesit mund të përdorin maskat e Halloween-it për të fshehur identitetin e tyre. Nunez rikujtoi se legjislacioni në fuqi u mundëson policisë të ndalojë mbulimin e fytyrës kur rrezikohet rendi publik.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Francë u ka këshilluar udhëtarëve të shmangin zonat ku janë planifikuar demonstrata ose tubime të mëdha.

Protestat morën hov në fund të shtatorit, në kohën kur qeveria e pakicës e Macronit nisi diskutimet për buxhetin e vitit 2027.

Përballë borxhit publik që po i afrohet 120 për qind të prodhimit ekonomik dhe rritjes së kostove të huamarrjes, qeveria po përballet me presion për të kufizuar shpenzimet, duke pasur gjithnjë e më pak hapësirë për veprim.

Pakënaqësisë së studentëve për gjendjen e amortizuar të shumë shkollave, klasat e mbingarkuara dhe sistemin e pranimit në universitete, që konsiderohet gjerësisht i padrejtë, u janë bashkuar sindikatat dhe lëvizja e Jelekëve të Verdhë, të cilët kërkojnë masa për përballimin e kostos së jetesës.

Protestat në Francë kanë nxitur gjithashtu lëvizje të të rinjve në vende të tjera evropiane, ndërsa për këtë të shtunë janë paralajmëruar demonstrata në më shumë se 30 qytete të Gjermanisë.

Premtimet e qeverisë franceze për reforma në arsim dhe lehtësimin e kostove të karburantit nuk kanë arritur të qetësojnë pakënaqësinë.

“Kur isha i vogël, më thoshin se të rinjtë janë e ardhmja. Epo, nëse ne, si e ardhmja e Francës, nuk kemi burime të mjaftueshme, kjo do të thotë se Franca do të përfundojë duke u shembur”, ka deklaruar Aaron Berthier de Grandry, një nxënës 15-vjeçar nga periferia e Parisit, i cili planifikon t’i bashkohet protestave për të tretën fundjavë radhazi.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika