Arrestohet 31-vjeçari shqiptar në Gjermani, dyshohet se plagosi rëndë një kosovar në Mynih

Një 31-vjeçar me shtetësi shqiptare është arrestuar në Mynih të Gjermanisë, nën dyshimin se ka plagosur rëndë një 29-vjeçar nga Kosova.
Ngjarja kishte ndodhur më 2 shtator në qendër të Mynihut, kur viktima kishte ndërhyrë për të ndalur një konflikt mes një burri dhe një gruaje, raporton Suddeutche Zeitung.
Gjatë ndërhyrjes, 29-vjeçari dyshohet se ishte sulmuar me një mjet të mprehtë, duke pësuar lëndime të rënda në pjesën e sipërme të trupit. Ai ishte dërguar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas hetimeve disa javore, autoritetet gjermane arritën të identifikonin të dyshuarin, i cili u arrestua më 29 tetor, pranë banesës së tij në Mynih, transmeton Telegrafi.
I dyshuari është dërguar në paraburgim, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy personat nuk njiheshin më parë./Telegrafi/








































