Një 30-vjeçar, i identifikuar si Ysen Driza, është arrestuar në Fier, pasi dyshohet se ka kryer katër vjedhje me thyerje në biznese të ndryshme të qytetit gjatë muajit tetor.
Sipas hetimeve, Driza dyshohet se në periudhën 19-28 tetor 2026 ka vjedhur shuma parash, dy telefona celularë dhe pajisje të tjera, përfshirë serverin e kamerave të sigurisë.
I riu, banues në Fier dhe me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes, ishte shpallur në kërkim për këtë vepër penale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ai është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Finalizohet operacioni i koduar “Precedenti”, zbardhen 4 raste të vjedhjes me thyerje në biznese të ndryshme, gjatë muajit tetor.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, i shpallur në kërkim për vjedhje.
30-vjeçari, me precedent kriminal në fushën e vjedhjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në kallëzimet e disa qytetarëve, për vjedhje në bizneset e tyre, gjatë natës, kanë organizuar punën për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i punës së shpejtë hetimore u finalizua operacioni i koduar “Precdenti”, gjatë të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi Y. D., 30 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për vjedhje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 19.10.2026 - 28.10.2026, ka vjedhur me thyerje, në 4 biznese në qytetin e Fierit, shuma parash, 2 celularë dhe pajisje (serverin e kamerave).
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net