Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, pasi dyshohet se kanë kryer disa vjedhje në biznese dhe automjete në qytetet e Pogradecit dhe Korçës. Një bashkëpunëtor i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë dy 26-vjeçarë, të identifikuar me inicialet R. M., njëri banues në fshatin Drenovë dhe tjetri në Korçë.

Sipas policisë, hetimet kanë bërë të mundur zbardhjen e gjashtë vjedhjeve. Dy të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur në pesë biznese, si dhe kanë marrë sende nga një automjet në Pogradec dhe Korçë.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi sendet e dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjetin me të cilin lëviznin të dyshuarit.

Gjithashtu, është identifikuar edhe bashkëpunëtori i tyre i dyshuar, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tij. Operacioni “Qarku” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Korçë. Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: