
Një 30-vjeçar është arrestuar në Fier, pasi dyshohet se ka kryer katër vjedhje me thyerje në biznese të ndryshme të qytetit gjatë muajit tetor. Operacioni policor për kapjen e tij u kodua “Precedenti”.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Y. D., banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje dhe rezulton me precedent kriminal për të njëjtën vepër penale.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se gjatë periudhës 19-28 tetor 2026, 30-vjeçari ka vjedhur në katër biznese shuma parash, dy telefona celularë dhe pajisje të ndryshme, mes tyre edhe serverin e sistemit të kamerave të sigurisë.
Vjedhjet dyshohet se janë kryer gjatë natës. Pas kallëzimeve të disa qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur nëse 30-vjeçari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.