
Dy 26-vjeçarë janë arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se janë përfshirë në një seri vjedhjesh në Pogradec dhe Korçë, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim.
Operacioni i koduar “Qarku” çoi në zbardhjen e gjashtë rasteve të vjedhjes. Sipas Policisë, të dyshuarit akuzohen për vjedhje në pesë biznese, si dhe për marrjen e disa sendeve nga një automjet.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi sende të dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjetin që dyshohet se përdorej prej tyre për të lëvizur.
Si bashkëpunëtor i dyshuar është identifikuar edhe një person me inicialet E. Ll., banues në Kamëz, i cili është shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse të dyshuarit janë të përfshirë edhe në vjedhje të tjera. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
