Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë me 6 lekë çmimin maksimal të shitjes me pakicë të naftës, e cila nga ora 12:00 e kësaj të shtune do të tregtohet me jo më shumë se 212 lekë për litër. Ndërkohë, çmimi i benzinës do të jetë deri në 179 lekë për litër.
Sipas vendimit të marrë më 31 tetor, çmimi maksimal i shitjes me shumicë të naftës do të jetë 200 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës 167 lekë për litër.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, në orën 12:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.
Në njoftimin e tij, Bordi u ka rikujtuar operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë detyrimin për të zbatuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Bordi i Transparencës e mori këtë vendim në kuadër të masave për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.


